Kuriozitete
8 October 2026
Fshati ku 1 në 7 gra që arrijnë 70 vjeç jetojnë deri në 100

Sekreti i jetëgjatësisë mund të jetë të jesh grua, të paktën në një fshat të vogël malor të Sardinisë, Itali.

Një studim i ri mbi njerëzit që kanë arritur moshën 100-vjeçare në Bolotana, një fshat në pjesën qendrore të ishullit italian, ka zbuluar një shkallë jashtëzakonisht të lartë të jetëgjatësisë, veçanërisht te gratë.

Sardinia është bërë e njohur për jetëgjatësinë e banorëve të saj që nga viti 1999, kur disa fshatra të largëta në pjesën qendrore dhe lindore të ishullit u përfshinë në pesë të ashtuquajturat “zona blu” të botës – rajone ku ka përqendrim të lartë të njerëzve që jetojnë deri në 100 vjeç e më shumë, raporton “The Guardian”.

Tash, studiuesit thonë se edhe Bolotana, e cila ndodhet rreth 110 kilometra nga zona origjinale blu e Sardinisë, mund të jetë një tjetër pikë e veçantë e jetëgjatësisë.

Studimi, i realizuar nga profesorë të Universitetit të Sassarit në Sardini dhe Universitetit të Alabamës në Birmingham të ShBA-së, dhe i publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Aging”, ka gjetur se 13.8 për qind e grave në Bolotana që arrijnë moshën 70-vjeçare jetojnë deri në 100 vjeç.

Kjo e rendit Bolotanan në vendin e dytë në botë për jetëgjatësinë e grave, pas Hong Kongut.

Në Itali, për krahasim, vetëm 3.5 për qind e grave që arrijnë moshën 70-vjeçare jetojnë deri në 100 vjeç.

Studiuesit analizuan të dhënat e personave të lindur në Bolotana ndërmjet viteve 1900 dhe 1925.

Ata zbuluan se 38 persona kishin jetuar përtej moshës 100-vjeçare, duke e bërë shkallën e jetëgjatësisë në këtë fshat 57 për qind më të lartë se mesatarja kombëtare italiane.

Studimi nisi në vitin 2024. Në vitin e kaluar, në Bolotana, që ka rreth 2,266 banorë, jetonin 12 persona mbi 100 vjeç – rreth 12 herë më shumë se mesatarja e Sardinisë.

Gjashtë prej tyre kanë vdekur që atëherë, ndërsa gjashtë të tjerat janë të gjitha gra. Dy më të moshuarat janë 102-vjeçare.

Studiuesit presin që edhe banorë të tjerë të fshatit të arrijnë moshën 100-vjeçare deri në fund të këtij viti dhe gjatë vitit 2027.

Gratë dominojnë jetëgjatësinë

Gjetjet tregojnë gjithashtu se zona e jetëgjatësisë në Sardini po zgjerohet, krahasuar me katër zonat e tjera blu të botës: Okinaëa në Japoni, gadishulli Nicoya në Kosta Rika, Ikaria në Greqi dhe Loma Linda në Kaliforni të SHBA-së.

Giovanni Mario Pes, shkencëtari kryesor i studimit dhe një prej krijuesve të konceptit të “zonave blu”, tha se zbulimi është i rëndësishëm sepse për herë të parë pas më shumë se 25 vjetësh është identifikuar një zonë e re e jetëgjatësisë jashtë zonës tradicionale blu të Sardinisë.

“Por, ndërsa Bolotana ndan të njëjtat karakteristika, ajo është edhe më e jashtëzakonshme. Në zonën origjinale kishte një ekuilibër të pazakontë mes dy gjinive, ndërsa këtu jetëgjatësia e grave mbizotëron”, tha Pes.

Ai shtoi se është e njohur tashmë se gratë jetojnë më gjatë për arsye biologjike, por ajo që është e jashtëzakonshme në Bolotana është se jetëgjatësia e grave është rreth tri herë më e lartë se ajo e shumicës së grave në botën perëndimore.

Pes, i cili është vetë nga Sardinia, nuk dha një shpjegim të prerë për “sekretin” e jetëgjatësisë në fshat, duke theksuar se studimi ishte i kufizuar në dokumentimin e këtij fenomeni.

Megjithatë, pas takimeve me gratë mbi 100-vjeçare të Bolotanës, ai tha se ajo që e kishte impresionuar më shumë ishin marrëdhëniet e forta dhe të vazhdueshme shoqërore që ato kishin ruajtur gjatë gjithë jetës.

Ai përmendi si shembull Giovanna Marras, 101-vjeçare, e cila jeton me motrën e saj.

“Ato jetojnë bashkë, gatuajnë bashkë dhe flasin me njëra-tjetrën lehtësisht. Nuk kishte absolutisht asnjë shenjë të rënies së aftësive njohëse”, tha Pes, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv

Ushqimi, natyra dhe ecja

Kryetari i Bolotanës, Francesco Manconi, tha se jetëgjatësia mund të jetë rezultat i një kombinimi faktorësh.

Ai përmendi ushqimin e freskët dhe të pastër, edhe pse banorët nuk heqin dorë nga ëmbëlsirat tradicionale lokale, si seada, një ëmbëlsirë e mbushur me djathë, dhe mustazzolus, një biskotë me erëza që shpesh konsumohet në mëngjes.

Sipas tij, rol mund të luajë edhe natyra e paprekur që rrethon fshatin, si dhe aktiviteti fizik.

“Banorët e moshuar gjithmonë kanë ecur shumë, deri në 20 kilometra në ditë. Dhe do të thosha se shumica ishin gra”, tha Manconi.

Statistikat zyrtare të nëntorit 2025 tregojnë se në Itali kishte 23,548 persona të moshës 100 vjeç e më shumë, rreth 2,000 më shumë se një vit më parë.

Nga personat që kaluan moshën 100-vjeçare vitin e kaluar, 82.6 për qind ishin gra.

Gratë dominojnë gjithashtu edhe te 724 personat që kanë arritur moshën 105-vjeçare dhe më shumë, si dhe te 19 personat në Itali që kanë kaluar moshën 110-vjeçare.



Të ndryshme
Më shumë
Protestë e re e sindikatave në Shkup, kërkohet pagë minimale 600 euro14 March 2026
Mickoski drejtuar qytetarëve: Vota juaj i ndryshon punët12 July 2020
Edhe sot tollovi para sporteleve të MPB-së për dokumente personale29 June 2021