Denion Meidani, i propozuar për ambasador të Shqipërisë në Kosovë, ka prezantuar këtë të premte kandidaturën e tij në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Dëgjesa vjen në kuadër të rokadës diplomatike me Petrit Malajn, ku Meidani, aktualisht ambasador në Shkup, pritet të marrë drejtimin e ambasadës shqiptare në Prishtinë, ndërsa Malaj të zhvendoset në Shkup.
Gjatë fjalës së tij, Meidani e cilësoi këtë detyrë si një përgjegjësi të veçantë dhe një urë të rëndësishme mes dy shteteve shqiptare, duke kujtuar edhe periudhën e luftës në Kosovë dhe angazhimin e të atit, Rexhep Meidani, në mbështetje të popullit të Kosovës.
“Të nderuar, ju falënderoj për mundësinë për të paraqitur kandidaturën time si Ambasador i Shqipërisë në Kosovë. E pranoj këtë përgjegjësi, sepse është një urë e rëndësishme mes dy shteteve të një kombi.
Në pranverë 1999 kur Kosova po vuante, babai im, Rexhep Meidani premtoi se Shqipëria do të mbetej e hapur. Kosova në ato ditë për familjen tonë ishte më shumë se politikë. Për mua tashmë është një nder i madh, mbaj me vete ADN e babait tim”, u shpreh Meidani.
Platformën e tij si kandidat për ambasador të Shqipërisë në Kosovë e prezantoi edhe Petrit Malaj, i cili nënvizoi marrëdhënien e rëndësishme mes dy vendeve.
“Të nderuar, detyra si ambasador i Shqipërisë në Kosovë ka qenë përvojë e veçantë dhe e rëndësishme, kam pasur fatin të punoj për thellimin e marrëdhënieve politike dhe njerëzore. Përvoja më ka mësuar qartë se nuk kërkohet vetëm diplomaci, por edhe besim, pari dhe punë konkrete.
Marrëdhënia me Maqedoninë e Veriut është bartëse e një rëndësie të veçantë, ne jemi miq, që e njohim të shkuarën dhe të ardhmen e përbashkët.
Një Maqedoni e Veriut më demokratike dhe europiane është në interes të shqiptareve, maqedonasve dhe gjithë rajonit. Marrëdhënia të forta shtetërore, priortiteti im i parë i këtij mandati do të jetë forcimi i marrëdhënieve politike dhe institucionale midis dy vendeve.
Unë do të synoj vendosjen e një formati komunikimi të rregullt me Ministrinë për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme në Maqedoninë e Veriut, sikurse me institucionet e tjera shtetërore, partitë politike, institucionet e drejtësisë dhe botën akademike”, u shpreh Malaj mes të tjerash./TCh/