Nga Bota
10 October 2026
Moti i keq merr me vete makinat në Itali, përmbytje dhe rrugë të mbuluara nga balta

Stuhitë e fuqishme që goditën Italinë gjatë natës shkaktuan përmbytje të mëdha, dëme materiale dhe situata të rrezikshme për banorët.

Në Lipari, makinat mbetën të bllokuara nga ujërat në port, ndërsa në Melito Porto Salvo disa automjete përfunduan mes shkëmbinjve pranë detit.

Moti i keq ka shkaktuar dëme të shumta në jug të Italisë, ku reshjet intensive dhe stuhitë e fuqishme kanë përmbytur banesa, mbuluar rrugë me baltë dhe marrë me vete automjete.

Situata më problematike u regjistrua në ishullin Lipari, në arkipelagun e Ishujve Eolianë, në provincën e Mesinës, si dhe në Melito Porto Salvo, në zonën e Reggio Calabrias.

Në portin Sottomonastero, disa makina mbetën të bllokuara nga uji, ndërsa rrugët, përfshirë edhe ato në qendër të qytetit, u mbuluan nga balta dhe mbeturinat.

Përrenjtë Ponte dhe Valle dolën nga shtrati, duke transportuar materiale dhe mbeturina drejt plazheve dhe detit. Përballë situatës së krijuar, zjarrfikësit ndërhynë në disa zona, përfshirë edhe për të shpëtuar drejtues automjetesh të bllokuar nga përmbytjet.

Situata ishte veçanërisht e rëndë edhe në Melito Porto Salvo, në provincën e Reggio Calabrias, ku një stuhi e fuqishme goditi zonën, duke lënë pas rrugë të përmbytura, baltë, mbeturina dhe dëme të konsiderueshme.

Disa automjete përfunduan në shkëmbinjtë pranë detit, ndërsa një mur u shemb dhe disa akse rrugore u bënë të pakalueshme. Pamjet nga zona tregojnë pasojat e reshjeve intensive dhe fuqinë e ujërave që përshkuan rrugët.

“Kemi përjetuar një bombë uji. Makinat përfunduan në det dhe mure u shembën. Nuk kemi rrugë”, deklaroi kryebashkiaku Tito Nastasi për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, duke përshkruar situatën e krijuar.

Ai bëri të ditur se dëmet ende nuk ishin vlerësuar plotësisht dhe se kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për komunën.

Pas përmbytjeve, ekipet e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit dhe policia lokale u angazhuan për të monitoruar zonat e prekura dhe për të identifikuar situatat e rrezikshme.

Administrata e Melito Porto Salvos u bëri thirrje banorëve të kufizojnë sa më shumë lëvizjet dhe të dalin nga shtëpitë vetëm kur është e domosdoshme. Paralajmërimi erdhi për shkak të rrugëve të dëmtuara, mbeturinave dhe rrezikut nga situata të tjera të mundshme të rrezikshme.

Ndërkohë, në provincën e Tarantos, erërat e forta rrëzuan disa struktura ndriçimi të vendosura për festimet e Shën Mediçit, në zonën e Savës. Strukturat ranë mbi automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht nuk u raportuan persona të lënduar./TCh/



Të ndryshme
Më shumë
Thirrjet ‘‘UÇK’’ në koncertin e tij në Sttugart, Endrit Thaçi falënderon Yll Limanin: UÇK simboli që na bashkon20 September 2026
Ishin nisur drejt Evropës, së paku 57 imigrantë mbyten në ujërat e Libisë27 July 2021
Mbyllet vendkalimi kufitar “Niki” mes Greqisë dhe Maqedonisë22 July 2020