Nga Rajoni
10 October 2026
Joseph kritikon BE-në për qortimin publik ndaj Kosovës për Ligjin e Speciales: Nuk morët asnjë masë ndaj Serbisë për Mlladiqin

Profesori amerikan, Edward Joseph, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara që janë aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për kritikat që janë bërë në drejtim të Kosovës nga BE dhe shtete anëtare.

Besnik Velija

Joseph ka thënë se Brukseli zyrtar nuk i ka menaxhuar në mënyrë të duhur kritikat sa i përket Ligjit të ri për Gjykatën Speciale dhe sipas tij, shqetësimet do të duhej të ngriheshin privatisht në vend që të bëhej reagim publike për mosrespektim të obligimeve ndaj BE-së.

Në këtë pikë, Joseph kujton funeralin e Ratko Mlladiqit në Serbi që është përkrahur nga shteti serb e që BE s’ka ndërmarrë asnjë veprim.

“BE-ja i ka trajtuar në mënyrë të gabuar shqetësimet e saj lidhur me Ligjin e ri të Kosovës për Dhomat e Specializuara. Brukseli duhej t’i ngrinte këto shqetësime në mënyrë private, në vend që ta akuzonte publikisht Kosovën për mosrespektim të “obligimeve ndaj BE-së”. Brukseli nuk ka ndërmarrë asgjë konkrete lidhur me funeralin e Ratko Mlladiqit, të mbështetur nga shteti – kriminelit më të rëndë të luftës në Ballkan – ndërkohë që Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë profesori amerikan i John Hopkins University.

Për shkak të mungesës së pasojave që lidhen me funeralin e Mlladiqit dhe për shkak të reagimeve festive në Beograd për dënimin e Thaçit dhe të tjerëve, Joseph thotë se BE-ja do të duhej të tregohej më e ndjeshme sa i përket trajtimit të Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Mungesa e pasojave për Serbinë lidhur me funeralin e Mlladiqit si dhe reagimet festuese në Beograd ndaj aktgjykimeve të Dhomave të Specializuara kërkonin shumë më tepër ndjeshmëri në trajtimin e ligjit të Kosovës”, ka thënë Joseph për Express.

Ai tutje ka thënë se Gjykata Speciale s’është e imunizuar ndaj kritikave, teksa kujton faktin që dënimet ndaj katërshes së UÇK’së janë shumë më të mëdha krahasuar me dënimet e dhënga nga Tribunali i Hagës për krime shumë më të rënda.

“Dhomat e Specializuara nuk janë të imunizuara ndaj kritikave. Dënimet e shqiptuara ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Thaçi, janë tejet joproporcionale krahasuar me dënimet e dhëna nga Tribunali i Hagës për krime shumë më të rënda”, ka shtuar Joseph tutje.

Në fund, ai thotë se BE në vend të kritikave të ashpëra publike, ka mundur t’i ndaj shqetësimet sa i përket Ligjit në mënyrë private./GazetaExpress/

 



Të ndryshme
Më shumë
Rama: S’kemi pse presim BE për të bashkëpunuar, konflikti Kosovë-Serbi nuk duhet ta mbajë peng rajonin 2 July 2021
Zvicra voton për neutralitetin, nisma për rregulla më të ashpra pritet të refuzohet24 September 2026
Maqedoni, regjistrimi për votim në zgjedhjet lokale të të sëmurëve përfundon nesër në mesnatë 8 October 2021