Nga Bota
16 October 2026
Shqiptari Arbër Bullakaj kritikon ushtrinë zvicerane: Po e kthejnë luftën në lojë për fëmijët

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Zvicrës, Arbër Bullakaj, ka kritikuar prezantimin e ushtrisë zvicerane në panairin OLMA në St. Gallen, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si po u prezantohen fëmijëve armët dhe pajisjet ushtarake.

Sipas raportimit të mediumit zviceran SRF, Bullakaj, deputet i Partisë Socialdemokrate (SP), e konsideron problematike që fëmijët të ngjiten mbi tanke, të mbajnë në duar armë antitank dhe të simulojnë goditjen e objektivave, transmeton Telegrafi.

“E gjithë kjo po kthehet në një lloj loje, në kohën kur situata aktuale botërore është e tensionuar”, shtoi ai.

Ballukaj ka kritikuar atë që e sheh si banalizim të luftës dhe të pasojave të saj, duke rikujtuar se ka ushtarë që përballen me pasoja të rënda psikologjike nga përvojat e tyre.

Nga ana tjetër, ushtria zvicerane është prezantuar në OLMA me një ekspozitë prej rreth 2 mijë metrash katrorë, ku vizitorët mund të shohin tanke, armë, dronë dhe pajisje të tjera ushtarake. Gjatë 11 ditëve të panairit janë angazhuar rreth 250 pjesëtarë të ushtrisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga SRF, kostot materiale të ekspozitës arrijnë në rreth 300 mijë franga zvicerane, pa përfshirë shpenzimet për personelin ushtarak.

Bullakaj ka vënë në pikëpyetje arsyeshmërinë e këtyre shpenzimeve, në një kohë kur ushtria po përballet me nevojën për të financuar kapacitetet e saj të mbrojtjes, transmeton Telegrafi.

Kurse, përfaqësuesit e ushtrisë zvicerane kanë mbrojtur pjesëmarrjen në panair, duke argumentuar se qëllimi është informimi i qytetarëve dhe shpjegimi i rolit të ushtrisë në mbrojtjen e vendit.

Gjeneralmajori Willy Brülisauer ka theksuar se përmes ekspozitës synohet t'u shpjegohet qytetarëve funksioni i pajisjeve ushtarake, ndërsa shefi i ushtrisë, Benedikt Roos, e ka cilësuar prezantimin si një kompromis mes kostove publike dhe të drejtës së qytetarëve për të kuptuar punën e ushtrisë.

Debati për ekspozitën ka nxitur reagime edhe mes politikanëve të tjerë zviceranë, disa prej të cilëve kanë vënë në pikëpyetje madhësinë dhe shpenzimet e saj./Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Bien lejet e ndërtimit, por rritet ndjeshëm vlera e investimeve në shkurt 2026 9 April 2026
Këngëtarja kosovare reagon ashpër, një pjesë të fajit ua lë kompanive të fluturimeve26 July 2021
Familja afgane e shet vajzën për 500 dollarë!26 October 2021