Ideja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë, është rikthyer në vëmendje ditëve të fundit edhe nga senatori amerikan Dick Durbin, i cili ka thënë se kjo ide duhet të “shqyrtohet seriozisht”.
Megjithatë, kur është pyetur nëse propozimi është konkretizuar dhe ka nisur të shqyrtohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Pentagoni ka dhënë një përgjigje të shkurtër për Kallxo.
“Nuk kemi asgjë për të njoftuar në këtë kohë”, thuhet në përgjigjen e selisë qendrore të mbrojtjes amerikane.
Durbin tregoi se gjatë takimit me Kurtin, më 12 tetor në Prishtinë, kryeministri i kishte shoqëruar senatorët në zyrën e tij dhe u kishte prezantuar një hartë të Kosovës, përmes së cilës kishte paraqitur rreziqet e sigurisë në afërsi të vendit.
“Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe në paqe, dhe mendoj se prania e KFOR-it këtu e ka kryer mirë këtë detyrë”, tha ai.
Kampi Bondsteel, i vendosur pranë Ferizajt, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan. Kryeministri Kurti e ka përsëritur disa herë propozimin që kampi të shndërrohet në bazë të përhershme amerikane, duke e lidhur këtë me paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në rajon.
Gjatë qëndrimit në SHBA në shtator të këtij viti, Kurti e kishte ritheksuar këtë kërkesë edhe pas takimit me kongresistin George Latimer, më 23 shtator.
“Diskutuam për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe zhvillim. Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon.” – thuhet në postimin e Kurtit në rrjete sociale.
Ndërkohë, më 13 tetor, Ushtria amerikane njoftoi se trupat e Gardës Kombëtare të Floridës, të cilat shërbejnë në Kosovë, do të zëvendësohen me ushtarë të Regjimentit të 2-të të Kalorësisë, një njësi e ushtrisë së rregullt amerikane me bazë në Gjermani, si dhe me njësi mbështetëse nga Divizioni i 1-rë i Këmbësorisë.
Ushtria amerikane theksoi se mbështetja për KFOR-in do të vazhdojë pa ndërprerje, por nuk saktësoi nëse këto ndryshime do të ndikojnë në numrin e ushtarëve amerikanë të vendosur në Kosovë.