Kryeinspektori Shëndetësor ka marr disa masa ndaj zyrtarëve për mënyrën se si u trajtua rasti i ndërrimit të foshnjave në “Spitalin Amerikan 2” në Prishtinë. Këtij institucioni iu shqiptua vetëm një vërejtje me shkrim pasi nuk e kishte lajmëruar infermieren në DLA, ndërsa lënda e infermieres nuk u procedua fare në OIK për shkelje etike dhe profesionale
Ministria e Shëndetësisë sot ka njoftuar se janë marr disa masa në Inspektoratin Shëndetësor për mënyrën se si u trajtua rasti i ndërrimit të foshnjave në “Spitalin Amerikan 2” në Prishtinë.
“Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar. Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim. Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë”, thuhet në njoftimin e MSh-së për masat që i ka marrë në këtë rast.
Sipas MSh-së këto masa janë marr pasi janë evidentuar mangësi në veprimet e zyrtarëve.
“Pas shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit, janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor”.
Nga MSh kanë deklaruar se infermierja e rastit e cila dyshohet se e ka bërë ndërrimin e foshnjave kishte licence pune, por nuk ishte e lajmëruar në Departamentin e Licencimit dhe Akreditimit në MSh.
“Inspektorati Shëndetësor ka inspektuar rastin e ndërrimit të foshnjave, të ndodhur më 18 mars 2026. Inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna. Nga kontrolli i dokumentëve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA)”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Ngatërrimi i foshnjave në “Spitalin Amerikan 2” raportohet se ka ndodhur më 18 mars 2026. Sipas ankesës së familjes, foshnja është marrë nga stafi mjekësor dhe të nesërmen nënës i është dorëzuar një foshnjë tjetër. Pas insistimit të prindërve dhe verifikimeve të mëvonshme, është konstatuar ngatërrimi.
Inspektorja e rastit kishte marr vendim për Vërejtje ndaj institucionit për moslajmërimin e infermieres në DLA, ndërsa për infermieren kishte rekomanduar shqyrtimin e shkeljes etike dhe profesionale në Odën e Infermierëve të Kosovës. Por lënda nuk ishte dërguar fare ne OIK.
“Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë e Kosovës (OIK), lidhur me pyetjen tuaj sqaron se dokumentacionin lidhur me këtë rast e ka pranuar sot nga Inspektorati Shëndetësor. Rasti do të trajtohet në përputhje me kompetencat ligjore të Odës dhe procedurat në fuqi për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me etikën dhe përgjegjësinë profesionale”, ka konfirmuar Oda.
Për rastin ka folur të martën edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai ka bërë të ditur se disa zyrtarë të përfshirë në inspektimin e rastit janë proceduar për Komision Disiplinor, ndërsa ndaj tyre janë shqyrtuar edhe masa të tjera, për shkak të shkeljeve të supozuara gjatë inspektimit.
“Dje ka pasur një takim të kryeinspektorit dhe janë proceduar për Komision Disiplinor dhe vërejtje të tjera disa nga ata që për momentin supozohet se kanë bërë shkelje gjatë inspektimit. Kështu që të gjitha masat do të merren, nuk do të tolerohet asnjë lëshim nga asnjë institucion”, ka deklaruar Vitia.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rastet kur janë të pakënaqur me veprimet ose vendimet e Inspektoratit Shëndetësor, t’i drejtohen edhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Vitia ka theksuar se inspektorët shëndetësorë kanë përgjegjësi të mbikëqyrin si institucionet publike, ashtu edhe ato private, por ka pranuar se kontrollimi i të gjitha institucioneve në kohë reale është i pamundur.
“Patjetër, inspektoratet shëndetësore e kanë për detyrë t’i monitorojnë spitalet publike dhe ato private. A mund të monitorohen të gjitha në kohë reale? Natyrisht, është e pamundur, jo vetëm tek ne, por në gjithë botën. E rëndësishme është që, kur bëhet kontrolli dhe identifikohen shkeljet, kudo që ato janë, të merren masat adekuate, konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë Vitia.
Si ndodhi rasti?
Ngatërrimi i foshnjave në “Spitalin Amerikan 2” raportohet se ka ndodhur më 18 mars 2026.
Sipas ankesës së babait, stafi mjekësor në “Spitalin Amerikan 2” në Prishtinë e kishte marrë foshnjën nga nëna rreth orës 23:00, ndërsa të nesërmen asaj ia kishin dorëzuar një bebe tjetër.
Kur nëna kishte vërejtur se foshnja që i ishte dorëzuar nuk ishte e saj, shqetësimi i saj fillimisht ishte neglizhuar nga personeli mjekësor.
Vetëm pas insistimit të prindërve dhe krahasimit të fotografive, stafi kishte kontrolluar shiritin identifikues, duke konstatuar se foshnja i përkiste një pacienteje tjetër.
Inspektorati Shëndetësor, pas inspektimit në spital, kishte evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna. Sipas raportit, personeli nuk e kishte marrë seriozisht dyshimin e saj dhe kishte vepruar vetëm pas insistimit të prindërve.
Në raportin e inspektimit, rasti ishte cilësuar si dështim në zbatimin e masave për sigurinë e pacientit dhe identifikimin e saktë të të porsalindurve.
Në lidhje me skandalin, deri më tash nuk ka pasur asnjë reagim “Spitali Amerikan”.