Nga Rajoni
21 October 2026
Haradinaj kritikon Konjufcën pas fjalimit në OKB për vendimin e Speciales: “Marre, Glauk!”

Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas fjalimit të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Haradinaj ka shprehur pakënaqësi me mënyrën se si Konjufca e ka trajtuar çështjen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e kritikuar ashpër për qëndrimin e tij.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen për Kosovën, Konjufca ka shprehur pritjen që këto gabime të korrigjohen gjatë procesit të apelit, duke theksuar rëndësinë e një procesi gjyqësor të paanshëm dhe të bazuar në fakte e prova.

“Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së përmban gabime në fakte dhe në përmbajtje. Ne presim që këto gabime të korrigjohen në procesin e apelit. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, të mbështetet në fakte dhe prova dhe të garantojë një proces të drejtë për të gjithë”, është shprehur Konjufca.

Ndërkaq në një reagim, Haradinaj ka thënë se nuk e kishte pritur që Kosova të paraqitej në këtë mënyrë para bashkësisë ndërkombëtare.

“Një Kosovë e poshtëruar deri në këtë pikë kurrë s’e kam prit. Bota po na sheh çuditshëm, sikur na kemi vra e pre popuj, pa e thënë të vërtetën për luftën dhe gjakderdhjen tonë për liri”, ka shkruar Haradinaj.

Ai i është drejtuar drejtpërdrejt Konjufcës me fjalët “Marre, Glauk!”, duke theksuar se do të vazhdojë të kërkojë, siç është shprehur, të vërtetën për luftën e Kosovës.

“Kurrë s’kemi me u ndalë deri te e vërteta jonë, o të pafytyrë!”, ka shkruar deputeti i AAK-së.

Në fund të reagimit, Haradinaj i është drejtuar edhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e pyetur për qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje.

 

 



Të ndryshme
Më shumë
Dezinfektim në hyrje dhe në dalje të vendvotimit, s’mund të votohet pa maskë15 July 2020
Dje në Maqedoni janë aplikuar 18.877 vaksina17 August 2021
Modelja ruse i kërkon fëmijë Don Xhonit12 October 2021