Nga Rajoni
25 October 2026
Rama për plagosjen e të riut në protestë: Në dhunë s’mund të shmanget çdo lëndim, u angazhova për ta kuruar në Itali

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar plagosjen e protestuesit Erjon Vishkulli gjatë protestës së djeshme.

Protestuesi u godit në sy me plumb gome, ndërsa sot do të udhëtojë për në Romë për t’u mjekuar.

Rama tha se “pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre”.

Duke thënë indirekt se kreu i PD, Sali Berisha ka dorë në këto protesta, Rama shtoi se i vjen keq për këdo që lëndohet, por sipas tij lëndimet nuk mund të shmangen në këto raste.

“Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?! Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur”, shkroi Rama në një postim në Facebook.

Rama tha se është marrë personalisht me sigurimin e kurimit të këtij protestuesi në spitalin më të mirë të Italisë.

“Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së mallkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend e ky popull sheh dritë!”, shkroi Rama.

“Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni.  Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni”, shtoi ai.

 



Të ndryshme
Më shumë
Plazhin “në derë të shtëpisë”, vlonjatja merr rreze në ballkon… pa mbathje!28 August 2020
205 të infektuar me Kovid-19 në 24 orët e fundit, 6 viktima dhe 336 të shëruar10 July 2020
ASHMAA Maqedoni: Heshtja zgjedhore fillon më 16 tetor14 October 2021