Nga Rajoni
30 October 2026
​ “Largomu se të mys”, KPK-ja tregon si e trajtoi zv.kryeprokurorja e Pejës kanosjen ndaj Arlinda Zekajt

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka publikuar vendimin për suspendimin e zv.kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Arlinda Nallbani-Gacaferrit, njëherësh koordinatore për dhunë në familje, duke renditur arsyet që kanë çuar në këtë masë.

Sipas vendimit, Nallbani-Gacaferri ishte në dijeni se më 22 tetor 2026 ishte shkelur urdhri për mbrojtje ndaj tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj, por, sipas KPK-së, nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme prokuroriale.

Në vendim thuhet se prokurorja, në cilësinë e kujdestares, ishte informuar nga Policia e Kosovës se vendimi i Gjykatës për urdhër mbrojtje ndaj Zekajt ishte shkelur. Po ashtu, ishte njoftuar se në shtëpinë e saj po qëndronin persona të tjerë, përfshirë nënën e bashkëshortit ndaj të cilit ishte lëshuar urdhri për mbrojtje, si dhe Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e saj.

Sipas KPK-së, Njësiti i Hetimeve e kishte kontaktuar prokuroren lidhur me rastin, ndërsa ajo kishte udhëzuar që personat e përfshirë të intervistoheshin.

Gjatë kësaj kohe, Arlinda Zekaj kishte deklaruar se kunati i saj, Albert Sylaj, në një moment e kishte kanosur me fjalët: “Largomu, largomu se të mys”.

Megjithatë, sipas vendimit të KPK-së, Nallbani-Gacaferri kishte udhëzuar që Sylaj të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, duke mos e trajtuar kanosjen si një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e Zekajt dhe pa vlerësuar rrezikshmërinë që i kanosej asaj.

KPK-ja thekson se prokurorja kishte qenë vazhdimisht e njoftuar për kërkesat urgjente të Zekajt, përfshirë edhe paralajmërimet se jeta e saj ishte në rrezik. Këto informacione, sipas vendimit, i kishte pasur edhe në cilësinë e koordinatores për dhunë në familje.

“…ishte në dijeni për urgjencat e kërkesave të saj dhe me theks të veçantë se të njëjtës po i kanosej jeta, ishte në dijeni për të gjitha raportet nga prokurorët të cilët kanë trajtuar rastet ku e ndjera ka qenë palë e dëmtuar, ishte e njoftuar edhe me raporte zyrtare policore lidhur me nivelin e rrezikshmërisë të cilën i kanosej të ndjerës A.Z.” – thuhet në vendimin e KPK-së.

Sipas Këshillit, ndonëse ishte në dijeni për rrezikun, prokurorja kishte dështuar të ndërmerrte veprimet prokuroriale të kërkuara me ligj dhe nuk kishte marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të viktimës.

Në vendim thuhet gjithashtu se Nallbani-Gacaferri në vazhdimësi nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme, nuk kishte marrë parasysh provat dhe faktet gjatë hetimit dhe nuk kishte siguruar dëshmi në përputhje me ligjin.

“…konkretisht nuk ka marrë parasysh kërkesën e të dëmtuarës për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e saj”, thuhet në vendim.

KPK-ja ka vlerësuar se prokurorja kishte shkelur edhe Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë, përkatësisht detyrimet që lidhen me profesionalizmin, llogaridhënien dhe përgjegjësinë në ushtrimin e funksionit. Sipas Këshillit, ajo nuk kishte marrë parasysh rrethanat që kërkonin mbrojtjen e të drejtave ligjore të viktimës.

Vendimi për suspendimin e Nallbani-Gacaferrit është marrë më 29 tetor 2026, në një mbledhje të jashtëzakonshme të KPK-së, e cila është mbajtur me dyer të mbyllura për mediat. Ajo është suspenduar nga ushtrimi i detyrave zyrtare me 50 për qind të pagës deri në një vendim tjetër të Këshillit.

Në të njëjtën mbledhje, KPK-ja kishte vendosur edhe suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe kishte caktuar Valbona Disha-Haxhosajn ushtruese të detyrës së kryeprokurores së kësaj prokurorie.

Ndërkaq, po më 29 tetor, Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë të hierarkisë komanduese në Pejë, përfshirë drejtorin e Stacionit Policor në Pejë. /Tv Dukagjini/



Të ndryshme
Më shumë
Finance Think rekomandon rritje graduale të çmimit të derivateve të naftës në Maqedoni29 June 2021
Mickoski: Persona të vdekur dhe të shpërngulur kanë marrë ndihmë sociale, zbulohen mbi 4500 raste 6 October 2026
Stërvitje, përgatitje...por edhe atmosferë pozitive për kombëtaren kuqezi 25 March 2026