Nga Vendi
31 October 2026
“Jeta jote nuk pret”, mesazhe të forta për jetën, kujdesin dhe solidaritetin e grave në Kërçovë

Në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, drejtoresha e Qendrës Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, Fatjona Geci, ishte e ftuar në panelin e organizuar nga Forumi i Gruas i BDI-së, Kërçovë, me moton domethënëse “Jeta jote nuk pret”.

Aktiviteti u organizua me kujdesin e veçantë të kryetares së Forumit të Gruas- Kërçovë, znj. Latife Arifi Limani, duke bashkuar paneliste dhe pjesëmarrëse në një bashkëbisedim të rëndësishëm mbi kujdesin për shëndetin, kontrollet e rregullta, diagnostikimin e hershëm dhe mbështetjen ndaj grave që përballen me kancerin e gjirit.

Fatjona Geci, kësaj radhe në cilësinë e sociologes, foli mbi rëndësinë dhe vlerën e gruas në familje dhe shoqëri, duke theksuar se shëndeti i saj është një vlerë që duhet mbrojtur dhe një përgjegjësi që nuk duhet lënë pas dore.

Ajo nënvizoi se gruaja, përtej rolit të saj në familje dhe shoqëri, është një individ që meriton kujdes, vëmendje dhe përkrahje. Në momentet e sfidave shëndetësore, mesazhi duhet të jetë i qartë: të jemi bashkë, të ofrojmë mbështetje dhe të mos lejojmë që asnjë grua të ndihet e vetme në përballjen e saj.

Panelistet përcollën mesazhe të vlefshme ndërgjegjësuese, duke e shndërruar këtë aktivitet në një hapësirë informimi, reflektimi dhe solidariteti.

“Jeta jote nuk pret” nuk ishte vetëm motoja e aktivitetit, por një thirrje për çdo grua që ta vendosë shëndetin e saj në radhë të parë, të mos i shtyjë kontrollet dhe të kërkojë ndihmë në kohë. Sepse të kujdesesh për jetën është të zgjedhësh jetën!



Të ndryshme
Më shumë
Angellovska: Janë paguar 14 milionë euro për kartelën vendore pagesore 6 July 2020
Mohuesi i Masakrës së Srebrenicës në pullën postare të Turqisë, nxiten reagime të ashpra23 June 2021
Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje23 July 2021