Disa biseda të zhvilluara në aplikacionin e koduar Sky, mes pjesëtarit të klanit kriminal të Shkalarit, Filip Koraq, dhe menaxherit të futbollit Dejan Grgiq, zbulojnë përfshirjen e Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në financimin e litijave të organizuara në Mal të Zi kundër pushtetit të Milo Gjukanoviqit.
Sipas tekstit të publikuar nga Istraga.ba, në janar të vitit 2020, Grgiq i kishte shkruar Koraqit se Danilo Vuçiq po kërkonte t’i merrte më herët paratë që i takonin në shkurt, shhkruan antenam.
Në bisedën e 20 janarit, Grgiq e pyeti Koraqin nëse duhej t’ia jepte paratë Danilos, i cili kërkonte të takohej me të.
Koraqi e këshilloi Grgiqin që t’i shmangej takimit ose të dërgonte dikë tjetër për t’ia dorëzuar paratë.
Një ditë më pas, më 21 janar, Grgiq e njoftoi Koraqin se Danilo Vuçiq po shkonte në zyrën e tij.
Sipas transkriptit të bisedës, Danilo Vuçiq i kishte thënë Grgiqit se i duheshin paratë për të financuar serbët në Mal të Zi, në mbështetje të Kishës Serbe dhe kundër pushtetit të Milo Gjukanoviqit.
“Thotë se i duhen paratë, sepse po i financon serbët në Mal të Zi për Kishën Serbe, kundër Milos”, i shkroi Grgiq Koraqit, pasi e kishte takuar Danilon.
Shtatë ditë më vonë, më 28 janar 2020, Grgiq e njoftoi Koraqin se ia kishte dorëzuar paratë Danilo Vuçiqit.
“Isha me Danilon sot. Ia dhashë paratë”, shkroi Grgiq.
Koraq iu përgjigj se Danilo Vuçiq i kishte fituar me meritë paratë.
Bisedat janë zhvilluar në kohën kur në Mal të Zi po organizoheshin litijat kundër Ligjit për Lirinë e Fesë, të miratuar nga autoritetet e atëhershme të vendit.
Në janar të vitit 2020, Aleksandar Vuçiq ishte takuar me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, ndërsa kishte njoftuar se po e anulonte vizitën e planifikuar në Mal të Zi.
Në atë kohë, autoritetet në Podgoricë e akuzonin Beogradin për përfshirje në organizimin e protestave, ndërsa Vuçiq i kishte cilësuar këto akuza si të pavërteta.
Sipas tekstit, bisedat në Sky hedhin dritë edhe mbi lidhjet e Danilo Vuçiqit me menaxherin e futbollit Dejan Grgiq, i cili, sipas raportimit, kontrollonte bizneset e tij në bashkëpunim me Danilo Vuçiqin dhe Lukë Bojoviqin.
Grgiq është përmendur edhe si menaxher i futbollistit të njohur serb, Dushan Vlahoviq.
Familja Vuçiq i kishte mohuar më herët lidhjet e Danilos me menaxhimin e karrierës së futbollistit.
Në bisedat e publikuara përmenden gjithashtu lidhjet e pretenduara të familjes Vuçiq me Veljko Belivukun, i njohur si Velja Nevolja, dhe konfliktet e tij me ish-ministrin e Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq.
Në një mesazh të 28 prillit 2020, Grgiq i kishte shkruar Koraqit se një politikan i kishte thënë se Vuçiq do ta largonte Stefanoviqin nga posti dhe se Danilo Vuçiq e urrente atë dhe nxiste konfliktin.
Sipas autorit të raportimit, këto biseda zbulojnë lidhje mes rrethit të djalit të presidentit serb, menaxherit të futbollit dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar, si dhe përfshirjen e tij në financimin e serbëve në Mal të Zi gjatë protestave kundër Gjukanoviqit.