Nga Bota
2 November 2026
Zvicra nis lëshimin e kartave të reja biometrike të identitetit, qytetarët mund të zgjedhin mes dy varianteve

Zvicra ka nisur nga 2 nëntori 2026 lëshimin e kartave të reja biometrike të identitetit, të cilat përmbajnë një çip elektronik me fotografinë e fytyrës dhe dy gjurmët e gishtërinjve.

Dokumenti i ri synon të rrisë sigurinë dhe të jetë në përputhje me standardet evropiane, ndërsa qytetarët mund të zgjedhin nëse duan kartën e re me çip apo versionin tradicional.

Sipas njoftimit të Policisë Federale të Zvicrës (fedpol), kartat e reja janë të disponueshme nga 2 nëntori dhe mund të aplikohen në zyrat kantonale për pasaporta dhe dokumente identifikimi, si dhe në përfaqësitë zvicerane jashtë vendit.

Aplikimi mund të bëhet edhe online, por paraqitja personale mbetet e detyrueshme për regjistrimin e të dhënave biometrike, transmeton Telegrafi.

Çipi elektronik përmban fotografinë e fytyrës dhe dy gjurmët e gishtërinjve, duke e bërë dokumentin më të mbrojtur nga falsifikimi dhe manipulimi. Sipas autoriteteve zvicerane, karta e re është veçanërisht e përshtatshme për udhëtimet në vendet e Bashkimit Evropian, pasi mund të lexohet dhe verifikohet edhe në mënyrë elektronike.

Një nga veçoritë e këtij ndryshimi është se qytetarët nuk janë të detyruar ta zëvendësojnë kartën aktuale. Dokumentet e identitetit pa çip, të lëshuara deri më tani, mbeten të vlefshme deri në datën e skadimit dhe mund të përdoren për identifikim në Zvicër dhe udhëtime në BE.

Po ashtu, autoritetet kanë bërë të ditur se çmimi i kartës së re biometrike mbetet i njëjtë me atë të kartës së mëparshme pa çip. Qytetarët mund ta porosisin edhe në të njëjtën kohë me pasaportën zvicerane.

Ndryshimi prek edhe dokumentet e përkohshme të udhëtimit. Nga 2 nëntori, pasaporta e përkohshme në Zvicër merr emërtimin e ri “Notpass”, ndërsa ndryshojnë edhe dizajni dhe elementet e sigurisë. Procedurat e aplikimit dhe kushtet për marrjen e saj mbeten të njëjta.



Të ndryshme
Më shumë
Vuçiq takon serbët e Veriut të Kosovës dhe kërcënon: Unë nuk jam si të tjerët, Serbia nuk është si dikur13 October 2021
Sot mbushen pesë vite nga tragjedia në Spitalin Modular në Tetovë 8 September 2026
SHBA-ja kërkon që takimi i OSBE-së në vitin 2027 të mbahet në Karolinën e Jugut, jo në Beograd24 July 2026