Nga Rajoni
2 November 2026
Berisha: Vuçiç kriminel lufte, por nuk e ndërtoi narkoshtetin në Serbi siç bëri argati i tij në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar Kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ndërtoi një narkoshtet në Shqipëri.

“Keni dëgjuar këto ditë se padroni i Edi Ramës u përmbys. Duhet t’u them këtu se ai ishte një Gjeorgjeviç në miniaturë. Ai ishte një kriminel lufte, mbështetës i gjenocideve dhe krimeve kundër njerëzimit. Por ai në Serbi, ndonëse kishte çdo mundësi, nuk ndërtoi narkoshtetin, siç ndërtoi argati i tij në Shqipëri. Në krahasimin e 40 monedhave, se mediat ua fshehin ju këtë, ua fshehin rekordin më të zi botëror të Shqipërisë, leku, monedha më e fortë në botë në raport me euron dhe dollarin për shkak të tonelatave të narkoeurove që vijnë në Shqipëri dhe kthehen në lekë”, tha Beirsha të hënën, pasi doli nga SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij.

“Leku ka zhvlerësuar në Shqipëri 33 për qind euron dhe 35 për qind dollarin. Ka zhvlerësuar 33 për qind eksportet shqiptare. Ka zhvlerësuar 33 për qind kursimet në euro të shqiptarëve. Ka goditur në mënyrën më fatale turizmin. Ka goditur prodhimin. Nga viti 2022 deri në vitin 2026, në qoftë se në Serbinë e Vuçiçit, eksportet u rritën nga 21 miliardë në 34 miliardë euro, në Shqipërinë e argatit të Vuçiçit, nga viti 2022 deri në vitin 2026, eksportet ranë me 28 për qind të tyre. Në qoftë se në Serbi prodhimi industrial u rrit me 3-4 për qind në vit, në Shqipëri ka rënien më të madhe pas Ukrainës në luftë, ka rënë me 15.3 për qind”, shtoi kreu i PD, përcjell A2 CNN.

Berisha shtoi se SPAK pengoi rotacionin politik, duke amnistuar krimin zgjedhor. “Krimi elektoral në Shqipëri është sot i certifikuar me dokumentet më themelore të institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet. Krimi elektoral në Shqipëri ka arritur formën më të egër, më barbare, atë që quhet parti-shtet. Institucionet më serioze ndërkombëtare, ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian kanë gjetur se zgjedhjet e 11 majit, partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një”, tha ai.

“Por kjo për Altin Hajrin Gjokën Troplinin Farrukun, se zinxhirin e ka të pafundëm ky, pra për të, kjo nuk është krim. Ky seksion i PS kryen krim të rëndë kushtetues kur nuk heton krimin elektoral dhe e amniston atë. Shndërrohet në patericë kryesore të narkoshtetit dhe jo rastësisht mund t’u them se radhën tjetër do vij me maska antidrogë se aty qelbej drogë vendi. Nuk e di se ç’kishte ndodhur sot, por u detyrova të përdor një shami xhepi si maskë për shkak të kundërmimit në të katër anë drogë të këtij institucioni. Dhe krenarë se janë institucion i narkoshtetit. Krenarë se mbrojnë narkoshtetin, i cili përbën pushtuesin më të egër të kombit shqiptar në të gjitha kohërat. Përbën shkatërrimtarin më të madh të qenies sonë kombëtare, varfëruesin më të madh të shqiptarëve”. (A2 Televizion)



Të ndryshme
Më shumë
Policia qëllon për vdekje një 25-vjeçar në Tiranë 8 December 2020
Konfirmohet: Genta Ismajli shtatzënë për herë të parë23 August 2021
Rinia e BDl-së vizituan sot haxhi Bari Nuhija: Respektojmë të kaluarën27 June 2020