Nga Bota
4 November 2026
Pas supermarketeve, edhe një bankë franceze ‘bie viktimë’ e një sulmi kibernetik – janë vjedhur më shumë se 118 milionë euro

Crédit Mutuel Arkéa njoftoi të mërkurën se një sulm kibernetik ka mundësuar kryerjen e transaksioneve mashtruese, por siguroi se asnjë prej klientëve të saj nuk do të pësojë humbje financiare.

Banka franceze, me seli në rajonin e Brittany, në Francën perëndimore, bëri të ditur se ekipet e saj e kanë identifikuar sulmin dhe se situata tashmë është nën kontroll, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Drejtuesit e bankës deklaruan se kanë marrë “vendimin për të pezulluar përkohësisht disa transaksione, me qëllim garantimin e sigurisë së operacioneve dhe parandalimin e çdo lëvizjeje të re mashtruese”.

Sipas gazetës rajonale “Le Télégramme”, janë vjedhur 133 milionë dollarë (118 milionë euro).

Banka nuk e ka konfirmuar këtë shifër, por i ka deklaruar një tjetër gazete franceze, “Le Parisien”, se disa fonde janë bllokuar dhe se shuma e përfshirë është ende duke u vlerësuar.

Mashtrimi u bë publik fillimisht nga ZachXBT, një hetues i pavarur i specializuar në gjurmimin e transaksioneve me kriptovaluta.

Sipas agjencisë AFP, ZachXBT deklaroi se fondet e vjedhura janë kaluar përmes llogarive të shumta në platforma për shkëmbimin e kriptovalutave.

Banka njoftoi se transaksionet e pezulluara do të rifillojnë së shpejti, pasi të kenë përfunduar kontrollet përfundimtare të sigurisë dhe të jenë zbatuar masat përkatëse.

Ajo nuk dha detaje se si është kryer sulmi dhe as nuk identifikoi se kush mund të jetë përgjegjës për të.

Lajmi për këtë sulm kibernetik vjen pas lajmeve se frigoriferët dhe ngrirësit në dhjetëra dyqane në Belgjikë dhe Luksemburg u prekën nga sulme të tilla.

Ndërkohë, në disa supermarketeve në Suedi raportuan rritje të ngjashme të temperaturave, ku njëri prej dyqaneve e cilësoi ngjarjen si sulm kibernetik.

E ato incidente pasuan një sulm të ndodhur në Francë muajin e kaluar, gjatë të cilit, sipas policisë, hakerët morën kontrollin e njësive ftohëse në qindra supermarkete.

Kjo çoi në rritjen e temperaturave deri në 50 gradë Celsius (122 gradë Fahrenheit), duke shkaktuar zjarre dhe humbje të produkteve ushqimore.

Dhe këto nuk ishin sulmet e vetme të raportuara nga autoritetet në disa vende të Evropës. /Telegrafi

 



Të ndryshme
Më shumë
Beqarovski: Virusi është si një “snajperist”, dje ai arriti të “plagosë” 999 persona dhe të “vrasë” 14 persona18 August 2021
BDI: Ne punuam për të siguruar financimin e Korridorit 8, ata që tash fotografohen para këtij projekti, dikur propagandonin që të ndalohet 4 May 2025
RMV, turistët serb mund të marrin M-smart kartela pa pagesë për pagesën e taksës rrugore16 June 2021