Mbi 19 tonë mollë maqedonase do të asgjësohen, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar nivel të pesticideve mbi kufijtë e lejuar. Ngarkesa fillimisht ishte eksportuar në Bullgari, por autoritetet atje nuk e lejuan hyrjen e saj në tregun evropian dhe e kthyen në Maqedoninë e Veriut.
Pas kthimit, Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë mori mostra të reja, të cilat u analizuan në Laboratorin Shtetëror Fitosanitar në Shkup.
Edhe rezultatet e këtyre analizave konfirmuan tejkalimin e niveleve të lejuara të pesticideve. Për këtë arsye, e gjithë ngarkesa është vulosur dhe është urdhëruar asgjësimi i saj, për të parandaluar që këto produkte të përfundojnë në treg dhe në tryezat e qytetarëve.