Nga Bota
8 November 2026
Një tërmet me magnitudë 5.7 godet Japoninë qendrore, raportohet për mbi 20 të lënduar – dalin pamjet

Një tërmet me magnitudë prej 5.7 goditi Japoninë qendrore në orët e hershme të 8 nëntorit, duke lënë mbi 20 persona të lënduar në prefekturat Aichi dhe Shizuoka, njoftuan autoritetet.

Lëkundja, që ndodhi në orën 01:04, e pati epiqendrën në pjesën perëndimore të prefekturës Shizuoka, në një thellësi prej rreth 40 km.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, në Chita (Aichi) u regjistrua një intensitet sizmik i nivelit “5 i lartë” (sipas shkallës japoneze). Nuk u lëshua asnjë paralajmërim për cunami.

Në nivelin “5 i lartë”, shumica e njerëzve e kanë të vështirë të ecin pa u mbajtur diku, ndërsa mobiliet që nuk janë të fiksuara mund të rrëzohen.

Në nivelin “5 i ulët”, objekte të tilla si enët apo librat mund të bien nga raftet.

Sipas operatorit “Chubu Electric Power”, nuk u vërejt asnjë anomali në centralin bërthamor Hamaoka në Shizuoka.

Megjithatë, disa shërbime hekurudhore vendore u pezulluan.

Trenat e shpejtë “Tokaido Shinkansen” pësuan vonesa në segmentin midis stacioneve Shizuoka dhe Gifu-Hashima, pasi për arsye sigurie u desh të lëviznin me shpejtësi më të ulët se zakonisht; megjithatë, sipas “JR Central”, qarkullimi me shpejtësi normale rifilloi para mesditës.

Qeveria qendrore ngriti një zyrë koordinimi për t’u marrë me pasojat e tërmetit.

Japonia është një vend i prirur ndaj tërmeteve. Më 28 korrik, Kumamoto u godit nga një tërmet me magnitudë 7.1 dhe intensitet të nivelit 7 – niveli më i lartë në shkallën sizmike. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Tre të lënduar në aksidentin në fshatin Çajle27 December 2020
Izet Mexhiti: Festimi i Fitër Bajramit forcon lidhjet mes komunitetit22 March 2026
“E kam shoqe të ngushtë shefen e SHISH-it”: Zbardhen bisedat e Ergys Agasit me 2 shtetas izraelitë ku flitet për Vlora Hysenin 5 November 2026