Mbi 239 milionë monedha zvicerane prej 1 rappen (centim), të cilat ende ndodhen në qarkullim, rrezikojnë të humbasin vlerën e tyre nominale në fund të këtij viti, pasi më 31 dhjetor 2026 përfundon afati i fundit për këmbimin e tyre.
Sipas mediumit zviceran Watson, bëhet fjalë për monedhën prej 1 centimi, e cila prej vitesh nuk përdoret më në pagesat e përditshme në Zvicër.
Megjithatë, shumë prej tyre vazhdojnë të ruhen nëpër shtëpi, koleksione dhe sirtarë.
Pas datës 31 dhjetor 2026, Banka Kombëtare e Zvicrës nuk do t'i pranojë më këto monedha për këmbim me vlerën e tyre nominale, transmeton Telegrafi.
Kjo do të thotë se personat që ende i posedojnë duhet të shfrytëzojnë afatin e mbetur për t'i këmbyer.
Sipas të dhënave të raportuara nga Watson, në qarkullim kanë mbetur rreth 239 milionë monedha të tilla, me një vlerë të përgjithshme prej afro 2.4 milionë frangash zvicerane.
Megjithatë, përfundimi i afatit të këmbimit nuk nënkupton domosdoshmërisht se monedhat do të jenë pa asnjë vlerë, pasi disa prej tyre mund të kenë interes për koleksionistët, varësisht nga viti i prodhimit dhe gjendja e tyre.