Nga Rajoni
10 November 2026
Fituesit nga Lista Studentore vizituan manastiret dhe kishat në Kosovë, postojnë fotografi "Kosova është Serbi"

Dy javë pasi e rrëzuan Aleksandar Vuçiqin, përfaqësues të Listës Studentore që po e marrin pushtetin në Serbi ishin në një vizitë në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë më herët se shpreson që ndryshimi politik në vendin fqinj të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Kosovës. MPJ s’tregon nëse ua dha lejen.

Gazeta Express

Përfaqësues dhe studentë nga Lista Studentore që po e merr pushtetin në Serbi ishin këto ditë në Kosovë.

Fegja Dimoviq, një kandidat i Listës Studentore tha se Kosova zë vend të rëndësishëm në programin politik të këtij subjekti politik, që e konsideron atë “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”.

“Nga kjo vizitë kthehemi me forcën që do të na nevojitet për ta çliruar vendin tonë nga kthetrat e krimit të organizuar. Bashkëkombësve tanë në Kosovë u përcjellim një mesazh dashurie dhe solidariteti, me premtimin e qartë se nuk do t’i harrojmë kurrë”, shkroi Dimoviq në një postim në Facebook.

Vizitorët nga Beogradi ishin edhe në Manastirin e Graçanicës dhe në Manastirin e Deçanit, që janë pjesë e Kishës Ortodokse Serbe dhe menaxhohen nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit.

Manastiri i Deçanit tha më pas në një komunikatë të lëshuar se përfaqësuesit e Listës Studentore “theksuan rëndësinë e mbështetjes institucionale, ndihmës juridike dhe profesionale, si dhe formave të tjera të ndihmës të nevojshme për një jetë të sigurt dhe të qëndrueshme” të serbëve në Kosovë pasi ta marrin zyrtarisht pushtetin në Serbi.

Kjo është vizita e parë e përfaqësuesve të kësaj liste në Kosovë që prej fitores në zgjedhjet parlamentare në Serbi më 25 tetor.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës deri në publikimin e këtij artikulli nuk i është përgjigjur pyetjes së Gazetës Express nëse ata morën leje për vizitën. Kjo është procedura e përcaktuar për vizita të tilla.

Për këtë vizitë, deputetët në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes thanë se po presin sqarime nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Ata kërkuan informacione lidhur me procedurat e ndjekura dhe mekanizmat përgjegjës për monitorimin e vizitave të tilla.

Nëse është dhënë leje për një vizitë të tillë, u shprehën të painformuar edhe deputetët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpreson për ndryshim të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.

“Aktualisht, ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk e dimë kush e ka fituar atë. Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, tha ai në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, më 31 tetor.

Për normalizim të marrëdhënieve me fqinjtë, Kurti tha se në Serbi nevojitet “ballafaqim me të kaluarën, denazifikimi i diskursit politik, dekriminalizimi institucional dhe demokratizimi i brendshëm”.

Ai tha se Kosova dëshiron “marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e bashkëpunim, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë”.

“Prandaj, shpresojmë që zhvillimet e reja të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë”, shtoi Kurti.

Lista Studentore ka thënë se në raport me Kosovën do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron atë pjesë të territorit të saj. Pra, sa i përket Kosovës nuk ka ndonjë dallim shumë të vërejtshëm ndërmjet Listës së Studentëve që po e merr pushtetin dhe krahut të Vuçiqit që duhet t’i lënë zyret.

Pas ardhjes në pushtet, ky subjekt politik do të duhet të vendosë se si do t’i qaset marrëdhënieve të Serbisë me Bashkimin Europian. Fitorja e përfaqësuesve studentorë është mirëpritur nga udhëheqësit europianë, të cilët kanë sinjalizuar se BE-ja është e gatshme të mbështesë reformat demokratike dhe të ardhmen europiane të Serbisë.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, Edward Ferguson tha të dielën se mirëpret deklaratat e para të përfaqësuesve të Listës Studentore që fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe se i ka bërë përshtypje deklarata për dëshirën e përfaqësuesve të rinj për “të punuar në përmirësimin e marrëdhënieve të Serbisë me fqinjtë e saj”.

“Kjo është shumë e mirëpritur, veçanërisht në një moment kur marrëdhëniet me disa vende fqinje nuk janë në nivelin që do të dëshironim”, tha ai në një intervistë për gazetën serbe, Politika.

Duke përmendur se prioritet i udhëheqjes së re serbe është politika e brendshme, ambasadori britanik në Beograd tha se në një moment duhet të flasin me ta për tema komplekse si Kosova, për të cilën MB dhe Serbia s’ndajnë qëndrimet e njëjta.

“Është plotësisht e qartë se nuk do të pajtohemi për çdo çështje në fushën e politikës së jashtme. Në një moment do të na duhet të bisedojmë për tema më komplekse – si normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Europian dhe Rusinë, si dhe çështje të tjera. Kjo nuk ka pse të ndodhë menjëherë, por është e rëndësishme të sigurojmë mekanizma dhe struktura efikase që do të na mundësojnë të zhvillojmë bisedime të pjekura, të bazuara në respektin e ndërsjellë”, tha ai.

Strahinja Subotiq, studiues në Qendrën për Politika Europiane në Beograd, tha më 27 tetor se pret që Bashkimi Europian “fillimisht t’u japë përparësi reformave demokratike, duke shmangur presionet e parakohshme për politikën e jashtme dhe Kosovën”.



Të ndryshme
Më shumë
Mbi 1 mijë çifte kosovare u shkurorëzuan brenda 9 muajve, korriku prin me raste 2 November 2026
Tërmet 5.9 godet bregun lindor të Zelandës së Re, nuk raportohen dëme apo të lënduar 2 August 2026
Gjyqi i Erion Veliajt shtyhet për shkak të bojkotit, gjykata gjobit avokatët13 October 2026