Qeveria e SHBA-së njoftoi se disa milionë njerëz të tjerë do të përjashtohen nga programi më i madh i vendit për ndihmë ushqimore – në një kohë kur numri i përfituesve tashmë po bie për shkak të shkurtimeve të mëparshme të zbatuara nga administrata federale.
Një rregullore e propozuar, e hartuar nga Departamenti i Bujqësisë, do të kufizojë të drejtën automatike për të përfituar ndihmë në kuadër të Programit të Ndihmës Ushqimore Shtesë (SNAP) – i njohur zakonisht si programi i “kuponëve ushqimorë” – për familjet që marrin ndihmë monetare përmes programit të Ndihmës së Përkohshme për Familjet në Nevojë (TANF), raporton Reuters.
Aktualisht, familjet që marrin ndihmë nga programi TANF kualifikohen automatikisht për SNAP, pa pasur nevojë të përmbushin kriteret federale të bazuara në të ardhura. Kërkesat për të përfituar nga TANF ndryshojnë sipas shtetit, por në përgjithësi variojnë nga 130 deri në 200 për qind të kufirit federal të varfërisë. Për programin SNAP, ky prag është zakonisht 130 për qind e kufirit federal të varfërisë.
Sipas një analize të Departamentit të Bujqësisë – e cila është pjesë e rregullores së propozuar – këto ndryshime do të çojnë në humbjen e së drejtës për ndihmë ushqimore për pothuajse 18 për qind të përfituesve të SNAP, ose afërsisht 6.3 milionë njerëz.
Të dhënat e Departamentit të Bujqësisë tregojnë se më shumë se 5.5 milionë njerëz e kanë humbur tashmë të drejtën për SNAP pas shkurtimeve në program, të zbatuara nga Presidenti Donald Trump përmes legjislacionit tatimor të miratuar në korrik 2025, gjë që e uli numrin e përfituesve në rreth 36 milionë. Duke qenë se pjesëmarrja në programin SNAP siguron automatikisht të drejtën për forma të tjera të ndihmës ushqimore, Departamenti i Bujqësisë vlerëson se, sipas këtij propozimi, 1.8 milionë fëmijë do të humbnin gjithashtu të drejtën për vakte falas në shkollë.
Angie Craig, një anëtare demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve nga Minesota, deklaroi se propozimi i Departamentit të Bujqësisë është “pa zemër dhe mizor”.