Rasti i Cui Guanghait dhe John Millerit po nxjerr në pah një varg parregullsish dhe dështimesh të institucioneve serbe, të cilat, sipas një raporti të Komisionit të Prokurorisë së Lartë Publike, u krijuan në rrethana që përfituan drejtpërdrejt dy të dyshuarit dhe ua lehtësuan arratisjen, raportonBirn.rs
Gjetjet e raportit, të publikuara më 10 nëntor, zbulojnë se prokurorët në Beograd vepruan në mënyrë të paligjshme, ndërsa institucionet shtetërore vonuan dokumentacionin amerikan, nuk reaguan me kohë pas arratisjes dhe nuk iu përgjigjën as kërkesave të autoriteteve amerikane.
Cui Guanghai, shtetas kinez i njohur edhe si “agjenti Jack”, dhe britaniku John Miller u arrestuan më 24 prill 2025 në hotelin “Hyatt” në Beograd, bazuar në një fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar me kërkesë të SHBA-së.
Autoritetet amerikane i akuzojnë ata për organizimin e përndjekjes dhe frikësimit të artistit dhe disidentit kinez Hui Bo, i cili jeton në Kaliforni dhe kishte krijuar skulptura që tallnin presidentin kinez, Xi Jinping.
Më vonë, në SHBA ndaj tyre u ngritën edhe akuza për përpjekje të sigurimit dhe eksportimit të paligjshëm të teknologjisë ushtarake amerikane drejt Kinës, përfshirë radarë, raketa dhe pajisje të avancuara ushtarake.
Pavarësisht se Gjykata e Lartë në Beograd kishte vlerësuar se ekzistonte rrezik i madh që Cui të arratisej, vetëm dy javë më vonë ndodhi një ndryshim i papritur në trajtimin e rastit.
Më 21 maj 2025, emri i prokurores që deri atëherë merrej me çështjen u zëvendësua me atë të prokurorit Miodrag Markoviq. Komisioni nuk gjeti asnjë vendim apo arsyetim me shkrim që shpjegonte këtë ndryshim.
Po atë ditë, Markoviq dha pëlqimin që Cui dhe Miller të liroheshin nga paraburgimi dhe të kalonin në arrest shtëpiak me monitorim elektronik.
Gjykata e pranoi propozimin e mbrojtjes dhe vendosi lirimin e tyre nga burgu.
Komisioni vlerësoi se kryeprokurori i Beogradit, Nenad Stefanoviq, dhe prokurori Markoviq, me veprimet e tyre, u krijuan përfitime dy shtetasve të huaj. Sipas raportit, ekzistojnë baza për të hetuar përgjegjësinë e tyre penale, kryesisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Një tjetër gjetje shqetësuese lidhet me dokumentacionin e dërguar nga autoritetet amerikane.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë e kishte përcjellë kërkesën amerikane për ndihmë juridike ndërkombëtare më 15 maj 2025, por dokumentet arritën në Gjykatën e Lartë të Beogradit vetëm më 2 tetor, plot 140 ditë më vonë.
Sipas Komisionit, një person i paidentifikuar në Ministrinë e Drejtësisë dyshohet se e kishte mbajtur dokumentacionin gjatë kësaj periudhe, duke pamundësuar trajtimin në kohë të kërkesës amerikane.
Mungesa e dokumenteve amerikane ishte përdorur nga mbrojtja si argument për lirimin e dy të dyshuarve nga paraburgimi.
Komisioni vlerëson se duhet të hetohet edhe përgjegjësia e punonjësit të paidentifikuar të Ministrisë së Drejtësisë.
Natën mes 3 dhe 4 gushtit 2025, Cui dhe Miller arritën të hiqnin byzylykët elektronikë dhe të zhdukeshin nga dy adresa të ndryshme në Beograd.
Alarmet e para u aktivizuan pak pas mesnatës, kur sistemi regjistroi dëmtimin e pajisjeve të monitorimit. Më vonë, sistemi humbi plotësisht kontaktin me të dy.
Megjithatë, reagimi i institucioneve ishte i vonuar.
Gjykatësja Ksenija Mariq i dërgoi prokurorisë një shkresë urgjente më 5 gusht, duke e njoftuar se dy të dyshuarit kishin ikur. Shkresa arriti në prokurori më 6 gusht, por prokurori Markoviq reagoi vetëm më 13 gusht, kur përgatiti kërkesën për caktimin e sërishëm të paraburgimit.
Gjykata vendosi për paraburgimin dhe lëshimin e fletarrestimit më 15 gusht.
Kështu, nga momenti i arratisjes deri te urdhri për fletarrestim kaluan 11 ditë.
Komisioni vlerëson se një reagim më i shpejtë dhe lëshimi në kohë i fletarrestimit mund ta kishin vështirësuar ndjeshëm kalimin e kufirit nga dy të dyshuarit.
Raporti zbulon edhe se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk iu përgjigj katër kërkesave zyrtare të autoriteteve amerikane dhe institucioneve të tjera të prokurorisë.
SHBA-ja, përmes Departamentit të Drejtësisë, Ambasadës amerikane në Beograd dhe FBI-së, kërkoi informacione për veprimet e ndërmarra nga institucionet serbe pas arratisjes.
Kërkesat u përcollën më 18 nëntor dhe 24 dhjetor 2025, por mbetën pa përgjigje.
As kërkesat e Prokurorisë së Apelit në Beograd dhe as një shkresë detyruese e Prokurorisë së Lartë Publike, e dërguar në maj të vitit 2026, nuk morën përgjigje.
Komisioni konstatoi gjithashtu se çështja ishte trajtuar nga prokuroria e gabuar dhe ishte regjistruar në një regjistër që nuk përdorej për ndihmën juridike ndërkombëtare.
Një nga misteret që vazhdon të mbetet pa përgjigje është mënyra se si Cui dhe Miller u larguan nga Serbia.
BIRN kishte zbuluar më herët se në orën 01:56 të natës së 4 gushtit 2025, nga Aeroporti i Beogradit “Nikola Tesla” ishte ngritur një avion privat i kompanisë kineze “Deer Jet”, i tipit Gulfstream G550, me destinacion Pekinin.
Avioni ishte nisur drejt Kinës pak më shumë se një orë pas aktivizimit të alarmeve të para të pajisjeve elektronike të dy të arratisurve.
Megjithatë, BIRN nuk arriti të konfirmojë se kush ndodhej në avion. Nuk ka prova se Cui dhe Miller ishin në atë fluturim dhe përputhja kohore nuk përbën dëshmi se ata u larguan në këtë mënyrë.
As raporti i Komisionit nuk jep përgjigje se ku ndodhen aktualisht dy të arratisurit, nëse kanë dalë nga Serbia apo nëse kanë pasur ndihmën e dikujt.
Rasti ka marrë edhe dimension politik, pasi BIRN kishte raportuar më herët se ambasadori kinez në Beograd, Li Ming, kishte shprehur pakënaqësi për arrestimin e shtetasit kinez dhe kishte diskutuar këtë çështje me ministrin e atëhershëm të Brendshëm, Ivica Daçiq.
Sipas informacioneve të publikuara nga BIRN, ambasadori kishte theksuar rëndësinë e Cui Guanghait për udhëheqjen shtetërore kineze.
Daçiq kishte konfirmuar se kishte biseduar me ambasadorin, por kishte kundërshtuar disa nga pretendimet për rrethanat e takimit.
Komisioni nuk ka konstatuar se lirimi i dy të dyshuarve ishte rezultat i një urdhri politik apo presioni nga autoritetet kineze. Po ashtu, nuk ka gjetur prova se institucionet serbe e kishin organizuar arratisjen e tyre.
Megjithatë, raporti evidenton shkelje të rënda, mosveprim dhe dyshime për përgjegjësi penale të zyrtarëve të prokurorisë.
Në një vlerësim më të gjerë, Komisioni kritikon mënyrën e udhëheqjes së Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, duke pretenduar se Nenad Stefanoviq kishte krijuar një lloj sistemi paralel prokurorial, në të cilin disa prokurorë përdoreshin për qëllime që nuk ishin në përputhje me ligjin.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i ka hedhur poshtë gjetjet e Komisionit si të pabazuara, duke pretenduar se kontrolli mund të jetë përdorur për përplasje brenda organizimit të prokurorisë.