Nga Rajoni
18 November 2026
Avokati kosovar: Nëse Apeli e refuzon ankesën, mbrojtja e Thaçit mund t’i drejtohet Kushtetueses

Avokati Florin Vërtopi e ka cilësuar të pritshëm aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili u dënua me 17 muaj burgim për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Vërtopi ka ngritur shqetësime lidhur me pranimin e audioincizimeve dhe transkripteve si prova, duke pretenduar se ato cenojnë privatësinë.

Ai, në Dukagjin, gjithashtu ka vënë në pikëpyetje zbatimin e Kodit Penal të vitit 2019, duke thënë se sipas nenit 15 të Ligjit për Dhomat e Specializuara, për veprat e tjera në Republikën e Kosovës duhej të zbatohej Kodi Penal i vitit 2012.

“Tek Ligji për themelimin e Dhomave të Specializuara e keni dispozitën në nenin 15, ku thuhet se për veprat tjera në Republikën e Kosovës aplikohet Kodi Penal i vitit 2012, ndërsa në aktakuzën e ngritur, si dhe në vendimin e sotëm gjyqësor, komplet është implementuar Kodi Penal i vitit 2019. Këtë e di edhe prokurori edhe gjykata se pse është vepruar në këtë mënyrë – Kodi Penal i Republikës së Kosovës i vitit 2012 është më i favorshëm, por nuk është përdorur”, ka deklaruar Vërtopi.

Ai ka shtuar se mbrojtja kishte ngritur disa çështje gjatë procedurës, përfshirë cenimin e privatësisë përmes audioincizimeve dhe transkripteve, por gjykata nuk i kishte përjashtuar ato si prova.

Vërtopi ka folur edhe për mundësitë e mëtejshme juridike në rast se Gjykata e Apelit e refuzon ankesën e mbrojtjes.

“Nëse Gjykata e Apelit e refuzon ankesën e avokatëve mbrojtës mbi këtë bazë, të njëjtën mund ta ngrisin në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi çështja e privatësisë është kruciale dhe ka vend të drejtohet në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Kushtetuese, pasi bëhet fjalë për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

 



Të ndryshme
Më shumë
Bie vlerësimi për presidentin amerikan, Joe Biden19 August 2021
“Më mirë për Tetovën”: Zaev me metoda të regjimit të kaluar po mundohet të pengojë gjithpërfshirjen e qytetarëve në zgjedhje28 July 2021
Zv.presidentja e SHBA-së, Kamala Harris falënderon Kosovën për pranimin e afganëve: Të forcojmë marrëdhëniet Kosovë-SHBA 4 September 2021