Nga Bota
22 November 2026
Belgjika paralizohet nga protesta kombëtare, anulohen fluturimet në aeroporte, ndërprerje edhe në transportin publik

Një protestë kombëtare e organizuar nga tri sindikatat kryesore në Belgjikë pritet të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në transportin ajror dhe atë publik, më 23 nëntor. Për shkak të pjesëmarrjes së kontrollorëve të trafikut ajror në këtë aksion, fluturimet në aeroportet belge do të anulohen ose pezullohen, ndërsa edhe shërbimet e autobusëve, tramvajëve dhe metrosë do të funksionojnë me kufizime.

Kontrollori i trafikut ajror Skeyes ka njoftuar se nuk do të jetë në gjendje të garantojë shërbimin normal të kontrollit të trafikut ajror nga ora 07:00 deri në 21:00. Si pasojë, Brussels Airport ka bërë të ditur se shumica e fluturimeve në nisje dhe mbërritje do të anulohen.

Edhe aeroporti i Charleroi ka paralajmëruar ndërprerje të operacioneve. Shërbimet për emergjencat dhe fluturimet e domosdoshme për sigurinë do të vijojnë të garantohen.

Vetëm në aeroportin e Brukselit ishin planifikuar rreth 59,500 pasagjerë dhe 429 fluturime për këtë ditë, mes tyre 213 nisje dhe 216 mbërritje.

Pasagjerëve u është kërkuar të kontaktojnë kompanitë ajrore për të marrë informacion mbi anulimet dhe mundësitë e riorganizimit të udhëtimeve.

Protesta organizohet nga sindikatat ACV, ABVV dhe Synova, të cilat kundërshtojnë planet e kursimit dhe reformat ekonomike e sociale të qeverisë federale të drejtuar nga Bart De Wever. Sipas sindikatave, kjo është të paktën protesta e 11-të kombëtare që prej ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale.

 



Të ndryshme
Më shumë
(Video) Zjarri kaplon Sekretariatin për Çështje Evropiane 9 September 2020
Merkeli për dozë të dytë mori një vaksinë tjetër, jo AstraZeneca-n23 June 2021
Gjenden mbeturina mjekësore afër Q.S. “Boris Trajkovski”, inspektorati heton rastin24 August 2020