Nga Vendi
24 November 2026
Vendoset mbishkrimi në shqip në Parkun “Oaza” në Butel, BDI: Atë që duhej ta bënin institucionet, e bënë qytetarët

Pas reagimeve dhe kërkesave për përfshirjen e gjuhës shqipe, disa qytetarë, me vetëiniciativë, kanë vendosur edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe në Parkun “Oaza” në Komunën e Butelit.

Këshilltarët e BDI-së në Komunën e Butelit thonë se atë që e bënë qytetarët, në fakt, duhej ta bënin Komuna e Butelit dhe Qyteti i Shkupit.

"Për këtë çështje kemi reaguar vazhdimisht, përmes mediave, rrjeteve sociale, në seancë të Këshillit të Komunës së Butelit dhe me kërkesa drejtuar Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Megjithatë deri tani institucionet përgjegjëse nuk i morën parasysh kërkesat tona për respektimin e dygjuhësisë".

"Prandaj, qytetarët vendosën të ndërmarrim këtë hap konkret: Në tabelën e Mega Parkut të Butelit të vendosin edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe. Me këtë veprim jo vetëm që plotësohet një obligim ligjor, por njëkohësisht sigurohet që qytetarët shqiptarë të lexojnë në këtë hapësirë publike edhe në gjuhën e tyre amtare, e që kjo përbën krenari për ta".

"Atë që e bënë qytetarët, në fakt, duhej ta bënin Komuna e Butelit dhe Qyteti i Shkupit. Dhe shtrohet një pyetje e thjeshtë: Pse duhej të krijohej gjithë kjo situatë? Pse duhej të arrihej deri te ky veprim, kur gjithçka mund të zgjidhej në mënyrën më të thjeshtë dhe institucionale, pa nxitur ndarje, pa diskriminuar dhe pa cenuar ndjenjat e asnjë qytetari?".

"Theksojmë se ky veprim është në përputhje me ligjin. Ndërsa institucionet dhe personat përgjegjës që nuk e kanë zbatuar atë duhet të japin llogari për mosveprimin e tyre".

"Po ashtu, neni 16 i këtij ligji parasheh përdorimin e të dyja gjuhëve në emërtimet e rrugëve, shesheve, parqeve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në komunat përkatëse. Orce dhe Darko, kjo është tabela që duhej të ishte vendosur që në fillim! Kjo është tabela që respekton ligjin, barazinë dhe qytetarët. Jo ajo që ju e vendosët dhe e promovuat, duke anashkaluar gjuhën shqipe".

"Merreni këtë tabelë si shembull për të gjitha veprimet tuaja të ardhshme, sepse respektimi i gjuhës shqipe është detyrim ligjor. Respekti nuk dëshmohet me fjalë, por me vepra. Kështu dëshmohet respekti për bashkëjetesën, Darko! Është koha për reflektim dhe veprim!", thanë nga BDI./Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Osmani: Mickoski është albanofob dhe i urren shqiptarët30 September 2025
Mickoski: Maqedonia zgjedh ekonominë e dijes, themelohet Këshilli për Inovacione23 February 2026
Gold AG bëhet baba për herë të tretë – i vendos emrin vajzës Emblema 1 July 2025