Nga Rajoni
25 November 2026
PE po përgatit rezolutë që i përmend Serbisë përgjegjësinë për krimet në Vukovar

Grupet politike në Parlamentin Evropian kanë arritur marrëveshje për tekstin e një rezolute me rastin e 35-vjetorit të rënies dhe shkatërrimit të Vukovarit, ku theksi vihet te përgjegjësia e regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe e aktorëve politikë e shoqërorë në Serbi për nxitjen e tensioneve etnike dhe agresionin ndaj Kroacisë.

Në tekstin përfundimtar janë përfshirë pesë ndryshime, ndërsa njëra prej tyre e zgjeron formulimin për përgjegjësinë e palës serbe. Përveç Millosheviqit, tashmë përmenden edhe individë me ndikim nga qarqet analitike, politike dhe intelektuale serbe, të cilët lidhen me nxitjen e armiqësive përmes retorikës ultranacionaliste dhe idesë së Serbisë së Madhe.

Një tjetër element i rëndësishëm i rezolutës është përfshirja e kërkimfaljes së ish-presidentit serb, Boris Tadiq, i cili në vitin 2010 vizitoi Ovçaren, së bashku me presidentin e atëhershëm kroat, Ivo Josipoviq, ku u përkul para viktimave dhe kërkoi falje për krimet e kryera.

Rezoluta thekson gjithashtu nevojën për pajtim dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Aty nënvizohet se familjet e të zhdukurve, pavarësisht përkatësisë kombëtare, vazhdojnë të presin informacione për më të dashurit e tyre.

Ndryshimet përfshijnë edhe zgjerimin e nderimit për viktimat e luftërave të tjera gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë, si dhe përmendjen e Trupave të Mbrojtjes Territoriale serbe.

Roli i Natasha Kandiqit në rezolutë

Në përpjekjet për përmbajtjen e rezolutës është përfshirë edhe aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, e cila publikoi një deklaratë të përbashkët të shtatë organizatave për të drejtat e njeriut nga rajoni, në mbështetje të një propozimi alternativ të paraqitur nga eurodeputeti austriak Helmut Brandstetter.

Në mesin e organizatave që mbështetën këtë propozim janë Documenta nga Kroacia dhe Fondi për të Drejtën Humanitare nga Serbia.

Organizatat kërkuan që në tekst të përmenden edhe civilët serbë të vrarë ose të zhdukur në Vukovar para fillimit të rrethimit të qytetit. Ato u angazhuan gjithashtu për zbatimin e kritereve të barabarta ndaj të gjitha shteteve të rajonit në trajtimin e së kaluarës së luftës dhe për përgjegjësi individuale për krimet e luftës.

Megjithatë, pas kompromisit mes grupeve politike, liberalët e Renew Europe e mbështetën tekstin e përbashkët, për të cilin Parlamenti Evropian do të votojë të enjten në Strasburg.

Çfarë kërkohet nga Serbia?

Propozimi i eurodeputetëve kroatë i kërkon Serbisë të hapë arkivat e luftës, të dorëzojë informacione për lokacionet e varrezave masive, të bashkëpunojë në ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe të miratojë një ligj për personat e zhdukur.

Qëllimi është që vuajtjet e Vukovarit të bëhen pjesë e kujtesës së përbashkët historike evropiane dhe të theksohet rëndësia e zbardhjes së përgjegjësisë për krimet e luftës.

Nëse miratohet, kjo do të jetë rezoluta e parë e Parlamentit Evropian e kushtuar posaçërisht vuajtjeve në Vukovar. /Danas

 

 



Të ndryshme
Më shumë
Emri i ri “RMV”, nis shtypja e pasaportave të reja 6 July 2021
Moti me diell dhe i ngrohtë, temperatura maksimale deri në 41 gradë 1 July 2021
Rama mbledh qeverinë dhe PS në Pallatin e Brigadave, fokus integrimi dhe zgjedhjet27 April 2026