Nga Rajoni
26 November 2026
Lirohet nga burgu serbi Andrija Drashkoviq, i dyshuar për vrasjen e aktivistit kosovar Enver Hadri në Bruksel

Andrija Drashkoviq (61) është liruar nga akuzat për vrasjen e aktivistit politik dhe veprimtarit për të drejtat e njeriut nga Kosova, Enver Hadri, i cili u vra në Bruksel në vitin 1990.

Lajmi është raportuar nga mediat belge, të cilat bëjnë të ditur se juria mori vendimin të mërkurën në mbrëmje, pas më shumë se dhjetë orësh diskutimesh.

Sipas agjencisë belge Belga, juria vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e Drashkoviqit përtej dyshimit të arsyeshëm.

Megjithatë, juria konstatoi se vrasja e Hadrit ishte organizuar me urdhër të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë, me ndihmën e një grupi kriminal nga Beogradi. Ajo nuk arriti të vërtetonte përtej dyshimit të arsyeshëm përfshirjen e Draškoviqit në këtë krim.

Drashkoviqi dyshohej se kishte marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e atentatit, si pjesë e një grupi komando që, sipas aktakuzës, ishte dërguar në Bruksel nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë për ta eliminuar Hadrin.

Kush ishte Enver Hadri?

Enver Hadri ishte aktivist politik shqiptar nga Kosova dhe veprimtar i të drejtave të njeriut, i cili jetonte në Bruksel që nga viti 1972. Ai ishte angazhuar për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar lidhur me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb dhe autoritetet jugosllave.

Hadri u vra më 25 shkurt 1990, në komunën Saint-Gilles të Brukselit, në një atentat që, sipas gjetjeve të gjykatës, ishte organizuar nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë.

Në momentin e vrasjes, ai po udhëtonte me dokumentacion për shqiptarët e vrarë gjatë demonstratave paqësore në Kosovë. Sipas raportimeve të mediave kosovare, në mesin e dokumenteve ndodhej edhe një listë me emrat e 32 personave të vrarë nga forcat serbe.

Këtë listë Hadri planifikonte t’ia dorëzonte të nesërmen Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Parlamentit Evropian.

Lirimi i Drashkoviqit nga akuzat nuk e ndryshon konstatimin e jurisë se vrasja e aktivistit shqiptar ishte organizuar nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë, por nënkupton se nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ta lidhur atë personalisht me krimin.



Të ndryshme
Më shumë
Bytyqi: Është përmirësuar standardi i jetesës në Maqedoni17 September 2021
Pendarovski paralajmëron LSDM-në, pa reforma rrezikon margjinalizim politik 4 April 2026
Pas ndarjes nga Dj PM, fansat vërejnë këtë detaj te Sara 6 November 2026