Nga Vendi
27 November 2026
Teuta Arifi: Gjuha shqipe nuk mund të vihet në dyshim, statusi i saj zyrtar garantohet me Kushtetutë dhe ligj

Ish-kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, ka ngritur shqetësimin për zhvillimet e fundit që lidhen me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se statusi i saj nuk mund të relativizohet dhe as të shndërrohet në objekt debatesh politike.

Në një shkrim me titullin “Gjuha jonë absolute”, Arifi rikthehet te rëndësia historike e gjuhës shqipe si shtyllë e identitetit kombëtar, duke e lidhur këtë çështje me trashëgiminë e Rilindjes Kombëtare dhe me përpjekjet e vazhdueshme për afirmimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
Duke iu referuar Marrëveshjes së Ohrit, amendamenteve kushtetuese dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të vitit 2018, ajo thekson se ekziston një bazë e qartë juridike për përdorimin zyrtar të shqipes në institucionet e vendit. Sipas saj, shqetësues është fakti që, krahas debateve politike për statusin e gjuhës, në praktikë po vërehen mangësi në zbatimin e dygjuhësisë institucionale.
Arifi vë në dukje heqjen e tabelave dygjuhësore, mungesën e përmbajtjeve në shqip në faqet zyrtare dhe ndryshimet në shërbimet publike, duke i konsideruar këto veprime si pjesë të një qasjeje që rrezikon ta relativizojë përdorimin e gjuhës shqipe.
“Duke sulmuar gjuhën, sulmon indin lidhor të një kombi dhe vë nën kontroll memorien kolektive të tij”, thekson Arifi, duke argumentuar se çështja e gjuhës nuk është thjesht administrative, por lidhet drejtpërdrejt me identitetin dhe barazinë qytetare.
Ajo kritikon gjithashtu përfaqësuesit politikë shqiptarë për mungesën e një qëndrimi të artikuluar dhe të vendosur për një çështje që e konsideron themelore për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Në përmbyllje, duke kujtuar kontributin e Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Faik Konicës dhe Fan Nolit në historinë e gjuhës dhe të alfabetit shqip, Arifi rikujton se dallimet politike nuk duhet të cenojnë atë që i bashkon shqiptarët.
“Një gjuhë na bashkon”, është mesazhi që përshkon shkrimin e saj, në të cilin bën thirrje për mbrojtjen dhe avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.



Të ndryshme
Më shumë
Prokuroria sot thotë fjalët përfundimtare për “Organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit” 1 July 2021
A e keni ditur se Resul Sinani ishte edhe këngëtar? Ja si i shkonte zëri17 November 2026
Sot gjykata merr vendimin për Fjolla Morinën, dyshohet për trafikim të armëve18 August 2021