Festa Kombëtare e Shqipërisë këtë vit po shënohet në një vend me rëndësi të veçantë historike për shqiptarët jashtë kufijve të atdheut.
Më 28 nëntor, qyteti i Kozencës në Kalabri të Italisë është nikoqir i ceremonisë festive, në nderim të komunitetit arbëresh, i cili prej më shumë se pesë shekujsh ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare.
Vendimi për organizimin e festimeve në Kalabri është marrë nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani, duke vlerësuar rëndësinë historike të kësaj treve, ku gjenden më shumë se 30 komuna me traditë arbëreshe, shkruan Corriere Della Calabria.
Gjatë ditës së sotme, ceremonia do të mbahet në Pallatin e Provincës në Kozencë, pranë Kolegjit të Shën Adrianit, një prej qendrave historike të formimit dhe rilindjes kulturore e identitare shqiptare në Itali, transmeton Telegrafi.
Ambasadorja Bitri Lani e ka cilësuar këtë përvjetor si një mundësi të veçantë për të nderuar komunitetin arbëresh, i cili për më shumë se 500 vjet ka ruajtur simbolet kombëtare shqiptare, gjuhën, traditat dhe kujtesën historike të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Zgjedhja e Kalabrisë nuk shihet vetëm si një nderim për të kaluarën, por edhe si një mesazh për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë.
Komuniteti arbëresh konsiderohet një urë e rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe një dëshmi e gjallë e bashkëjetesës e integrimit kulturor evropian.
Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë ka marrë edhe takimi i fundit mes presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe presidentit italian, Sergio Mattarella, të cilët kanë zhvilluar bisedime me kryetarët e komunave arbëreshe, duke vlerësuar rolin e tyre në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe forcimin e lidhjeve mes dy shteteve.
Një tjetër zhvillim që dëshmon përpjekjet për ruajtjen e kësaj trashëgimie është edhe programi i RAI Calabria-s, i cili që nga shtatori i vitit 2025 ka nisur transmetime radiofonike dhe televizive në gjuhën arbëreshe.
Festimi i 28 Nëntorit në Kozencë përfaqëson kështu një homazh për mijëra arbëreshë që, pavarësisht se jetojnë prej shekujsh në Itali, kanë arritur të ruajnë gjuhën dhe përkatësinë e tyre shqiptare, duke e përcjellë atë brez pas brezi.