Boksieri shqiptar, Nelson Hysa synon të shkruajë historinë në Dyseldorf, aty ku do të sfidojë kampionin e pamposhtur gjerman, Agit Kabayel në duelin më të rëndësishëm të karrierës së tij.
Një sfidë e madhe e pret boksierin shqiptar Nelson Hysa mbrëmjen e sotme (e shtunë, 28 nëntor), në Dyseldorf të Gjermanisë, ku do të ngjitet në ring për t'u përballur me kampionin e botës në peshat e rënda, Agit Kabayel.
Në lojë është titulli i kampionit të botës në kategorinë e rëndë të WBC-së. Për Hysën, kjo është mundësia e artë për të arritur majën e boksit profesionist dhe për t'u bërë kampioni i parë shqiptar në këtë nivel të rëndësishëm të këtij sporti.
Boksieri shqiptar vjen në këtë përballje me një rekord mbresëlënës prej 25 fitoresh në po aq ndeshje, 23 prej të cilave i ka mbyllur me nokaut. Fitorja e tij e fundit ishte ajo ndaj Thomas Narmo, në muajin gusht, kur e mposhti kundërshtarin me nokaut që në raundin e dytë.
Pavarësisht se përballë do të ketë një kundërshtar të pamposhtur dhe me përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare, Hysa ka treguar se është një boksier me fuqi të jashtëzakonshme goditëse. Në moshën 42-vjeçare, ai renditet në vendin e 16-të në klasifikimin e WBC-së dhe sonte do të ketë shansin më të madh të karrierës.
Në anën tjetër, Agit Kabayel, 34 vjeç, ka bilanc prej 27 fitoresh në 27 duele, me 19 nokaut. Gjermani u shpall kampion i plotë i WBC-së pasi Oleksandr Usyk liroi titullin, ndërsa më parë kishte fituar dhe mbrojtur titullin e përkohshëm.
Në paraqitjen e tij të fundit, në janar të këtij viti, Kabayel triumfoi me nokaut teknik në raundin e tretë ndaj Damian Knyba. Dueli i sotëm përfaqëson mbrojtjen e parë të titullit të tij si kampion i plotë.
Një detaj interesant vjen edhe nga peshimi zyrtar, ku Nelson Hysa rezultoi 13.6 paund (rreth 6.2 kilogramë) më i rëndë se Kabayel. Ky është një element që i shton interesin përballjes, sidomos duke pasur parasysh fuqinë e madhe të goditjeve të boksierit shqiptar.
Ndeshja do të zhvillohet në Merkur Spiel-Arena të Dyseldorfit, në Gjermani, ku pritet një atmosferë e jashtëzakonshme për këtë duel të rëndësishëm.
Për Nelson Hysën, kjo nuk është thjesht një tjetër ndeshje në ring. Është një mundësi për të bërë histori, për të sfiduar parashikimet dhe për të sjellë një titull botëror në boksin shqiptar.
Sipas njoftimit zyrtar të DAZN, transmetimi nis në orën 16:00, ndërsa karta kryesore rreth orës 18:45. Përballja Kabayel–Hysa pritet të fillojë rreth 22:30, sipas orës së Gjermanisë dhe Kosovës. Disa mediume sportive e japin hyrjen në ring rreth orës 23:00, ndaj orari mund të ndryshojë në varësi të kohëzgjatjes së dueleve paraprake. /Telegrafi/