Nga Vendi
29 November 2026
Nga 10 dhjetori fillon dekorimi i Shkupit për festat e fundvitit

Shkupi do të dekorohet në atmosferë festive të Vitit të Ri në periudhën nga 10 deri më 15 dhjetor, ndërsa festa qendrore e ndërrimit të viteve do të organizohet në sheshin “Maqedonia”, ka paralajmëruar kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Për dekorimin e qytetit është përzgjedhur një kompani, ndërsa Gjorgjievski, në një intervistë për televizionin “Sitel”, ka theksuar se procedura ka qenë transparente dhe se detajet janë publike.

Mbrëmja e Vitit të Ri do të shoqërohet me program muzikor, ku do të performojnë artistë vendorë. Emrat e tyre ende nuk janë bërë të ditur, por kryetari i Shkupit ka paralajmëruar se në festë do të marrin pjesë muzikantë maqedonas. Këtë vit nuk do të ketë fishekzjarrë.

Sipas tenderit për dekorimin e qytetit, në sheshin qendror do të vendoset një bredh i Vitit të Ri me lartësi 13 metra, së bashku me disa figura ndriçuese në forma të ndryshme. Dekorimi duhet të përfundojë deri më 15 dhjetor, ndërsa vlera e parashikuar e projektit është rreth 70 mijë euro.

Përveç bredhit, është paraparë të vendoset edhe një figurë ndriçuese e drerit, me lartësi rreth katër metra, me kallam dekorativ të sheqerit në brirë dhe kombinim të ndriçimit LED të bardhë të ngrohtë dhe të ftohtë, me efekte dinamike.

Në shesh do të vendoset edhe një dhuratë gjigante e ndriçuar, mbi gjashtë metra e lartë, dy porta 2D dhe një sajë 3D me dhurata, rreth dy metra e lartë dhe katër metra e gjerë, ku vizitorët do të mund të hyjnë dhe të fotografohen.



Të ndryshme
Më shumë
Rita Ora në skenë me Yll Limanin në Londër? TikTok-u ndez spekulimet11 October 2026
Pamje të reja nga dëmet e shkaktuara nga zjarri në Koçani 4 August 2021
Gjermania dhe Franca s’e dëgjojnë OBSh-në, do ta japin dozën e tretë të vaksinës 5 August 2021