Nga Bota
2 September 2020
“Unë jam tajvanez”, deklarata e kreut të Senatit në Çeki që ngjalli reagime

Presidenti i Senatit të Republikës Çeke, Milos Vystrcil, e deklaroi veten tajvanez, teksa mbajti një fjalim në Parlamentin e Tajvanit.

Deklarata nxiti reagim të ashpër nga Kina. Ky vend, i cili pretendon se Tajvani është territor i tij, tha se do të bëjë që Vystrcil “të paguajë çmim të lartë” për vizitën në ishull.

Vystrcil e përfundoi fjalimin e tij në Parlamentin e Tajvanit duke iu referuar fjalimit të ish-nënpresidentit amerikan, John F. Kennedy, gjatë të cilit ai i tha Berlinit Perëndimor, të rrethuar nga komunistët, më 1963, se ai po ashtu është berlinas.

Në vitin 1963, presidenti amerikan, John F. Kennedy, në fjalimin e tij të famshëm ‘Unë jam një berlinas’, kundërshtoi qartazi komunizmin dhe shtypjen politike, ndërsa mbështeti popullin e Berlinit Perëndimor”, tha Vystrcil.

“Ju lutem, më lejoni ta shpreh personalisht mbështetjen time për Tajvanin dhe vlerën themelore të lirisë dhe ta përfundoj fjalimin e sotëm me një deklaratë ndoshta më të përulur, por po aq të fortë: Unë jam tajvanez”, tha Vystrcil, duke e thënë frazën e fundit në gjuhën mandarine.

Vystrcil, i cili po viziton ishullin me një delegacion politikanësh dhe biznesmenësh, tha se vizita në Tajvan nënvizon politikën e jashtme, “të bazuar në vlera”, të vendosur nga presidenti i ndjerë i Çekisë, Vaclav Havel, një disident anti-komunist.

Ashtu si shumica e vendeve, Qeveria çeke e njeh zyrtarisht politikën “Një Kinë”, sipas së cilës, Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij.

Por, Vystrcil është anëtar i opozitës së qendrës së djathtë dhe nuk është i lidhur me protokollin diplomatik.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha se Kina do ta bëjë Vystrcilin “të paguajë çmim të lartë për sjelljen e tij dhe spekulimet politike”. /REL



Të ndryshme
Më shumë
Ndryshimet ligjore për të dielën ditë jo pune në komisionin amë19 July 2021
Deri dje janë regjistruar 1.132.484 persona në Maqedoni21 September 2021
Plas sherri për femra në plazh, dy vëllezërit nga Kosova zihen me grushta me vëllezërit në Shëngjin21 June 2021