Nga Bota
24 June 2021
Merkeli e Macroni “kopjojnë” Bidenin, duan samit me Putinin

Franca dhe Gjermania kanë sugjeruar që ta ftojnë presidentin rus, Vladimir Putin, në një samit me Bashkimin Evropian si pjesë e përpjekjeve për rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë.

Propozimi nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, vjen vetëm disa ditë pas samitit të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës.

Përkrahësit e idesë për samit mes BE-së e Rusisë thonë se udhëheqësit evropianë do të mund t’ia dërgonin Rusisë të njëjtat porosi të drejtpërdrejta rreth sjelljes së saj, ndërkohë duke e mbajtur hapur derën për kompromis e bashkëpunim, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, kritikuesit e marrëdhënieve më të ngushta me Kremlinin janë të shqetësuar që një samit i tillë do ta shpërblente Putinin në një kohë kur ai po e shton trysninë ndaj Ukrainës dhe në kohën kur Rusia është akuzuar për rritjen e sulmeve kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

Bashkimi Evropian nuk ka mbajtur samit me Putinin që nga aneksimi i Krimesë më 2014 dhe ka propozuar disa shtresa sanksionesh kundër Rusisë.

Nuk është e qartë nëse në propozimin për samit me Rusinë do të përfshihen të gjithë udhëheqësit e 27 shteteve të BE-së apo vetëm liderët e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel.



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni, nga gushti deri në shtator janë infektuar mbi 40 mijë persona me coronavirus16 October 2021
‘Shqipe pra’, Tayna krenare me vendin e saj midis Amerikës (FOTO) 7 September 2020
Filipçe: Nuk do të ketë drejtësi për Koçanin, kjo qeveri po mbron zyrtarët e saj29 September 2025