Nga Rajoni
1 July 2021
Kurti: Serbia të pranojë të vërtetën, të kërkojë falje dhe të distancohet nga Serbia e Millosheviqit

Ish-krerët e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit (SDB) të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq janë dënuar me 12 vjet burg në gjyqin më të gjatë në historinë e gjykatës në Hagë.

Dyshja u dënua për vrasjen, dëbimin dhe transferimin me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve nga Bosnje-Hercegovina dhe Kroacia në vitin 1992. Është vërtetuar se Stanishiq dhe Simatoviq kontrollonin njësinë famëkeqe, Bereta e Kuqe nga Serbia, e cila bëri krime në Samac.

Pas dënimit të ish-zyrtarëve shtetëror serb, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka pohuar se bëhet fjalë për dy figura famëkeqe të regjimit të presidentit të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, transmeton Telegrafi.

“Dy figura famëkeqe të regjimit të Milloshevicit, Jovica Stanisic dhe Franko Simatovic, u dënuan me 12 vjet burg secili për ndihmën dhe nxitjen e krimeve të kryera nga një njësi speciale e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Serb, Beretat e Kuqe, gjatë luftës në Bosnje në 1992. Këta janë të njëjtët persona, strukturat e të cilëve pas Bosnjës kryen gjenocid në Kosovë”, shkroi Kurti në Twitter.

Ai më tutje deklaroi se Serbia sot duhet të përballet me të kaluarën e saj, të pranojë të vërtetën, të kërkojë falje dhe të distancohet nga Serbia e Millosheviqit. “Vetëm atëherë mund të fillojë pajtimi”, shkroi në fund Kurti.

Ndryshe, rigjykimi i Stanishiqit dhe Simatoviqit është gjyqi më i fundit para gjykatës së Hagës për të përcaktuar nëse zyrtarët serbë ishin përgjegjës për krimet e luftës në Bosnje dhe Kroaci.

Që kur ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, vdiq para se të shqiptohej vendimi, deri më tani në Hagë, asnjë zyrtar i atëhershëm shtetëror serb nuk është shpallur fajtor për këto krime. Vetëm komandantët ushtarakë u dënuan për krimet e tyre. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Papa Leoni XIV kritikon Trumpin për Iranin, thirrje për paqe dhe shmangie të përshkallëzimit 7 April 2026
“Iu dha e drejta të moderojnë njerëzve pa eksperiencë dhe që s’dinë të flasin!“, Roza Lati heq dorë nga ekrani21 May 2025
Diaspora në Kosovë, për dy javë vijnë rreth 300 aeroplanë me mbi 41 mijë udhëtarë22 June 2021