Nga Rajoni
8 July 2021
Blerta Deliu reagon pas shkarkimit të Bordit të RTK-së: Kurti e Osmani po duan ta mbyllin gojën e çdo gazetari

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Korda ka reaguar pas shkarkimit të Bordit të RTK-së.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se vendimi i sotëm i Kuvendit do të mbetet njollë e pashlyeshme në historinë e një republike parlamentare.

Deliu-Kodra pohon se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani me partitë e tyre po sillen si të ishin në një shtet diktatorial dhe po duan ta mbyllin gojën e çdo gazetari, shkruan Reporteri.net.

Sot është një ditë e rëndë për demokracinë dhe lirinë e shprehjes në Republikën e Kosovës. Sot, partia e Albin Kurtit, që e ka shumicën në Kuvend dhe me miratimin e heshtur të Vjosa Osmanit, mori vendim për shkarkimin e Bordit të Televizionit Publik në Kosovë.

Postimi i saj:

Partia e Albin Kurtit, Vetëvendosja, luftën që e ka nisur prej vitesh kundër RTK-së, po e vazhdon duke shkarkuar një bord. Nuk po shkarkohet një bord i një ndërmarrje publike, por bordi i një mediumi.

Këtë shembull nuk do ta gjeni në asnjë shtet demokratik. Ky është një lajm i rëndë për një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ky vendim i Kuvendit do të mbetet njollë e pashlyeshme në historinë e një republike parlamentare.

Ajo çfarë po ndodh në Kuvendin e Kosovës mund të duket si në Bjellorusinë e diktatorit Aleksandër Lukashenko. Para dy muajsh, shteti i Lukashenkos, e ka devijuar rrugën e një aeroplani, me qëllimin e vetëm që ta rrëmbejë një gazetar. Ia ka arritur.

Sot, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani me partitë e tyre po sillen si të ishin në një shtet diktatorial. Po duan ta mbyllin gojën e çdo gazetari.

Dje kur e morën qeverinë e dërguan policinë në zyret e një mediumi vetëm për shkak të një artikulli të vërtetë se Ministri i Shëndetësisë nuk kishte nënshkruar kontratën për sigurimin e vaksinave anti-COVID-19, sot e shkarkuan bordin e një mediumi, e nesër kushedi se çka janë në gjendje të bëjnë.



Të ndryshme
Më shumë
Haxhi këtë vit do të kryhet por vetëm nga muslimanët që jetojnë në Arabinë Saudite dhe që janë me kombësi të ndryshme22 June 2020
E veshur me ngjyrë të kaltër për vizitën në Shqipëri, mesazhi i koduar pas xhaketës së Merkel 14 September 2021
Një tigër i merr jetën një vajze pasi dikush e la të lirë të dalë nga kafazi31 August 2021