Nga Bota
6 August 2021
“Gratë thonë se po hanë bar”, miliona fëmijë preken nga uria në Nigeri

Së paku 2.3 milionë fëmijë dhe të rinj po preken nga uria në verilindje të Nigerisë, ku kryengritja e grupeve të armatosura i ka detyruar fermerët që të ikin nga fushat, duke e futur rajonin në mungesë kritike të ushqimit, paralajmëruan grupet humanitare.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Sulmet nga militantët janë shtuar muajve të fundit në verilindje të Nigerisë. Dhjetëra ushtarë e civilë janë vrarë, ndërsa cak i disa sulmeve kanë qenë edhe fermerët, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Konflikti më i gjatë se një dekadë ka lënë të vrarë qindra mijëra njerëz e miliona të tjerë të zhvendosur, por tani po përcillet edhe nga inflacioni i ushqimit në mbarë vendin, duke bërë që miliona njerëz nuk kanë më mundësi të sigurt për ta ushqyer veten ose familjen.

Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve, “Save the Children”, ka vlerësuar se në mesin e 2.3 milionë fëmijëve të prekur nga uria janë 700.000 nën moshën 5-vjeçare dhe i bëri thirrje qeverisë për t’i mbrojtur fermerët dhe të ndajë më shumë burime për rajonin.

“Ne jemi jashtëzakonisht të brengosur që kjo do të çojë në një krizë edhe më të madhe për ushqim në verilindje të shtetit”, tha përmes një deklarate Shannon Ward, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së organizatës “Save the Children” për Nigeri.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se kombinimi i ndryshimeve klimatike, pasigurisë dhe pandemisë e ka vendosur këtë rajon buzë sigurisë katastrofale ushqimore.

Edward Kallon, koordinator humanitar i OKB-së për Nigerinë, tha se rreth 4.4 milionë njerëz janë në rrezik nga mungesa kritike e ushqimit dhe se kërcënimi në rritje për pasiguri katastrofale ushqimore është në gjendjen më të rëndë në pesë vitet e fundit.

“Prindërit po i largojnë fëmijët nga shkolla për t’i bërë lypsarë për të mbijetuar. Gratë kanë thënë se kanë filluar të hanë bar në mungesë të ndonjë ushqimi tjetër./Gazeta Express



Të ndryshme
Më shumë
Dita e Alfabetit, Pendarovski: Shqiptarët ditën e sotme e festojnë në atdheun tonë shumetnik22 November 2021
Nën ritmet e “hajde luj qyqek”: Këngëtarja serbe mbushet me bakshishe 6 July 2021
LSDM dhe OBRM-PDUKM në raundin e dytë do të garojnë në 25 komuna, partitë shqiptare në dhjetë19 October 2021