Nga Bota
18 August 2021
Histori të luftës, diplomacisë, rivaliteteve gjeopolitike dhe ndërhyrjeve të huaja – si e formësuan konfliktet shekullore Afganistanin modern

Njëzet vjet pasi koalicioni i udhëhequr nga SHBA rrëzoi talebanët nga pushteti në Afganistan, militantët talebanë kanë rimarrë kontrollin e vendit në një ofensivë që ka habitur botën.

Por marrja nën kontroll e pushtetit nga talebanët, është përmbysja e fundit në një seri konfliktesh që datojnë për rreth tre shekuj me radhë shkruan National Geographic, transmeton në shqip Gazeta Online “Reporteri.net”.

Pa dalje në det dhe i rrethuar nga malet dhe shkretëtirat, Afganistani është formuar nga lufta dhe diplomacia që kur Perandoria Afgane u themelua në vitin 1747, vit ky kur Ahmad Shah Durrani, një udhëheqës pashtun, konsolidoi fiset rivale afgane.

Gjatë fundit të shekullit të 19-të, Rusia dhe Britania e Madhe bënë “gara” për kontrollin mbi Afganistanin në një luftë gjeopolitike të njohur si “Loja e Madhe”.

Pasi morën pjesë në tri luftëra për të kundërshtuar zgjerimin rus, britanikët u tërhoqën në  vitin 1919, duke e bërë Afganistanin një shtet të pavarur.

60 vjet më vonë, më 27 dhjetor të vitit 1979, trupat sovjetike pushtuan vendin për të mbështetur një regjim jopopullor komunist, që atë kohë erdhi në pushtet. Luftimet do të vazhdonin për një dekadë, duke lënë të vrarë më shumë se një milion afganë dhe të paktën 15 mijë sovjetikë.

Në vitin 2001, tri javë pas sulmeve të 11 shtatorit në New York dhe Uashington, SHBA Britania e Madhe bombarduan kampet stërvitore të Osama Bin Ladenit dhe regjimin taleban që i strehonte ata, shkruan Reporteri.net.

Duke pasur parasysh historinë e tij, nuk është për t’u habitur që rezistenca ndaj ndërhyrjeve dhe dominimit të huaj është bërë pjesë e identitetit kombëtar të Afganistanit.

Pashtunët janë grupi më i madh etnik në Afganistan, por një pjesë e madhe e tyre jetojnë në Pakistan, përgjatë kufirit Durand.

Talibanët, të cilët janë kryesisht pashtunë, u rigrupuan në Pakistan pas pushtimit amerikan dhe u ndihmuan nga disa forca të sigurisë pakistaneze.

Talibanët u kthyen në pushtet në Kabul të hënën pas një përparimi ushtarak në mbarë Afganistanin, ndërsa forcat e udhëhequra nga ShBA-ja u larguan dhe vendet perëndimore shtuan përpjekjet për të evakuuar qytetarët e tyre nga kryeqyteti afgan. /Përktheu: Egzona Krasniqi – Reporteri.net/.



Të ndryshme
Më shumë
Mbeten të larta edhe për këtë javë, nuk ndryshojnë çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni25 October 2021
Ceca e quajti “vogëlushe”, por këngët e albumit të Duas u dëgjuan 2 miliardë herë31 July 2020
Ziberi: Ndihmë shtetërore deri në 20.000 euro për të rinjtë për të ble apartamente dhe shtëpi 2 July 2020