ShowBiz
23 August 2021
Gaz lotsjellës, “Kosovska” dhe “Kallashnikov”, krejt çka ndodhi në koncertin e Goran Bregoviq në Korçë

Këngëtari Goran Bregoviq performoi mbrëmë në Festën e Birrës në Korçë, duke hapur koncertin me këngën në gjuhën shqipe “Kosovska” (e Kosovës) të bendit “Bijelo Dugme” dhe duke e përfunduar me këngën “Kallashnikov”, këngë që cilësohet se “zgjoi nacionalizmin serb”.

Në fillim të koncertit, që u organizua nga Bashkia e Korçës, persona të panjohur hodhën gaz lotsjellës.

Megjithatë, tymi u shpërnda shumë shpejt dhe koncerti nuk u ndal.

Jozyrtarisht mësohet se disa persona janë shoqëruar në polici.

Para koncertit, disa rrugë të qytetit të Korçës u bllokuan dhe forca të shumta policore rrethuan perimetrin e zonës ku po zhvillohet organizimi për të ruajtur rendin publik.

Pjesëmarrja e këngëtarit Bregoviq në këtë koncert është kundërshtuar në Kosovë dhe Shqipëri.

Këto kundërshtime duke deklaruar se këngët e tij zgjuan nacionalizëm serb dhe nxitën ushtarët serbë të shkaktojnë masakra në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Atmosfera para nisjes së këtij koncerti në Korçë ishte e qetë.

Fluturije Cenolli, banore e Korçës tha se nuk i kupton kundërshtimet në lidhje me pjesëmarrjen e Bregoviqit pasi thotë se “kënga është më e mirë sesa lufta”.

“Këngë do të këndojë dhe do të iki, s’ do të bëjë luftë”, tha ajo.

Në anën tjetër, vendimi i organizatorëve që hyrja në koncert të bëhet me bileta që kushtojnë 1000 lekë i është dukur e padrejtë korçarit, Denis Guri.

“Nuk kam qenë ditëve të tjera e jo sot që është me lekë”, tha ai.

Ndërkaq koncertin dhe atmosferën e 22 gushtit e mirëpriti një qytetar që kishte shkuar atje nga Burreli.

“Nuk i prish punë shtetit shqiptar apo kosovar Goran Bregoviqi”, tha Basir Salaj.

Festa e Birrës në Korçë ka nisur më 18 gusht dhe përfundon të dielën më 22 gusht.

Disa këngëtarë shqiptarë dhe sponsorë të këtij organizimi u tërhoqën nga pjesëmarrja ditëve të kaluara në vazhdën e kundërshtimeve lidhur me pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit.

Kush është Goran Bregoviq?

Goran Bregoviq, u lind në Sarajevë në vitin 1950.

Babai i tij ishte kroat dhe nëna serbe, kurse gruaja e tij është boshnjake.

Ai është një muzikant dhe ish-frontman i grupit “Bijelo Dugme”, një nga grupet më të njohura të rokut në ish-Jugosllavi.

Bregoviq vetë nuk është shprehur publikisht mbi luftërat në ish-Jugosllavi.

“Qëndrimi neutral” thonë se ishte arsyeja për të cilin publiku e dënon.



Të ndryshme
Më shumë
Besimi: Mbështetje e fuqishme për Maqedoninë nga Banka Botërore gjatë kohës së ballafaqimit me pandeminë14 September 2020
Zaev sot për vizitë në Tiranë, do të takohet me kancelaren Merkel14 September 2021
Prej nesër obligative posedimi i pajisjeve dimërore në automjete14 November 2020