Nga Rajoni
2 September 2021
Kurti lajmërohet nga Sllovenia: Përfshirja e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është përftim i dyanshëm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka treguar temat për të cilat ai ka folur në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se i përmendi katër elemente si më të rëndësishmet për shtetet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Reporteri.net.

“Sundimi i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimi kundrejt autokratëve, përballja me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale, janë katër elemente të cilat i ritheksova në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë si më të rëndësishmet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.”, ka bërë të ditur ai.

Kurti ka thënë se në panelin e “Future of Europe – Enlargement”, ka folur për përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si përfitim i dyanshëm.

“Asisoj shtetet tona dhe mërgata do të ishin në të njëjtin entitet, me dobi të madhe ekonomike e njerëzore. Psh. remitancat në Kosovë përbëjnë mbi 20 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Vura theksin te korniza e re e bashkëpunimit, e quajtur SEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Juglindore), e cila do të zëvendësonte CEFTA-n dhe do të modelohej sipas EFTA-EEA, si një kornizë që ndihmon të gjitha gjashtë shtetet dhe secilin prej tyre drejt integrimit evropian”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri kosovar atje u taua me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe ministren e Punëve të Jashtme kroate, Gordon Grliq Radman, presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, themeluesin dhe kryetarin e Forumit Ekonomik të Delphi-it, z. Symeon Tsomokos, Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, z. Miroslav Lajçak, Komisionerin Evropian për Fqinjësi e Zgjerim, z. Oliver Varhelyi si dhe Presidentin e Këshillit Evropian, z. Charles Michel.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Sundimi i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimi kundrejt autokratëve, përballja me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale, janë katër elemente të cilat i ritheksova në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë si më të rëndësishmet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në panelin “Future of Europe – Enlargement” (E ardhmja e Evropës – Zgjerimi), diskutova për përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si përfitim i dyanshëm. Asisoj shtetet tona dhe mërgata do të ishin në të njëjtin entitet, me dobi të madhe ekonomike e njerëzore. Psh. remitancat në Kosovë përbëjnë mbi 20 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Vura theksin te korniza e re e bashkëpunimit, e quajtur SEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Juglindore), e cila do të zëvendësonte CEFTA-n dhe do të modelohej sipas EFTA-EEA, si një kornizë që ndihmon të gjitha gjashtë shtetet dhe secilin prej tyre drejt integrimit evropian.

Në margjina të këtij Forumi, takimin e parë e pata me Kryeministrin e Kroacisë, z. Andrej Plenkoviq dhe ministrin e Punëve të Jashtme e Çështjeve Evropiane të Kroacisë, z. Gordon Grliq Radman. U shpreha mirënjohjen e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për ndihmën që Republika e Kroacisë ua dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod.

Takime bilaterale pata me Presidentin e Sllovenisë, z. Borut Pahor, themeluesin dhe kryetarin e Forumit Ekonomik të Delphi-it, z. Symeon Tsomokos, Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, z. Miroslav Lajçak, Komisionerin Evropian për Fqinjësi e Zgjerim, z. Oliver Varhelyi si dhe Presidentin e Këshillit Evropian, z. Charles Michel.

Sfida e përbashkët e përballjes me pandeminë COVID-19 dominoi diskutimet, krahas nevojës për përkrahje të njëri-tjetrit për menaxhimin e kësaj krize globale.



Të ndryshme
Më shumë
Beqarovski: Të blejmë menjëherë testet e kombinuara që zbulojnë coronavirusin dhe gripin23 September 2021
Rama dhe Vuçiq në Shkup28 July 2021
Carovska: Testimin e nxënësve e koordinon Ministria e Shëndetësisë12 October 2021