Nga Rajoni
2 September 2021
“Dhunë sistematike, piskama dhe para se ta dërgonim në spital pati vjellje”, deklarata e Arbër Sejdiut pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj

Vajza 18-vjeçare M.O, nga Ferizaj që u varros nëntë ditë më parë, ka përjetuar dhunë fizike e psikike sistematike. Arbër Sejdiu, i arrestuar bashkë me Dardan Krivaqën nën dyshimet për vrasjen e vajzës, ka thënë se ajo ka bërtitur dhe para se t’i humbte ndjenjat, kishte vjellur.

Deklaratën e tij e ka cituar për Gazetën Express avokati i familjes së 18-vjeçares së ndjerë, Gazmend Rexhepi.

Avokati Rexhepi e as familja nuk e kanë pranuar akoma raportin e autopsisë, pasi Prokuroria Themelore e Ferizajt u ka thënë se ende nuk e posedojnë atë.

Avokati i familjes së 18-vjeçares, Gazmend Rexhepi, tha se e ka parë deklaratën e Arbër Sejdiut dhe i njëjti ka pohuar se vajzën e kanë çuar në spital pasi kur kanë hyrë në dhomë ka pasur shumë të vjellura.

“Deklaratën e kam pa dje, ai ka thënë se vajza është rreh në mënyrë sistematike pothuajse gati çdo ditë…Deklarimi i tij është që dy ditët e fundit M.O ka përjetuar dhunë fizike. Arbri ka qenë në dhomën tjetër ku ka nejt M.O, dmth partneri i saj Dardan Krivaqa, dy ditët e fundit standard i ka shkaktu dhunë fizike dhe psikike. Ka pas shumë piskama, qysh e ka citu ai, nga ana e M.O dhe dhunë fizike. Thotë kur kemi hy në dhomë ka pas vjellje dhe në atë moment e kemi marrë e kemi çu në spital”, tha Rexhepi për Gazetën Express.

Ai tha se janë në pritje të raportit të autopsisë.

“Autopsia nuk është dorëzuar akoma, çertifikatën e vdekjes ia kanë dhënë familjes do të thotë që është konstatuar vdekja e saj. Dje kam qenë në prokurori, e kam dorëzu autorizimin, prokuroria ka thënë se akoma nuk e kanë marrë raportin e autopsisë. Vetëm konstatimi që ka dal në publik nga Ministria e Drejtëisë, që është thënë për politraumë dhe thyerje.

Prokuroria është në fazën e hetimeve na kanë thënë dhe na kanë premtu që për çdo shkresë do të njoftohet avokati dhe familja”, përfundoi ai.

Marigona Osmani dyshohet se vdiq pasi i përjetoi dy ditë keqtrajtim mizor, rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa në paraburgim po qëndrojnë ish-partneri i saj Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu. Të dy emra të njohur për organet e rendit.

Prokuroria Themelore e Ferizajt bëri me dije se Krivaqa ishte recidivist i veprave të ndryshme penale.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krivaqës u tha: “I pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S. gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”, ka njoftuar gjykata.



Të ndryshme
Më shumë
Arifi: Para 8 vitesh kishte lagje të tëra që nuk kishin furnizim me ujë27 October 2021
Kur duhet përdorur maska në Shqipëri sipas protokollit të shtetit shqiptar?16 June 2021
Letër lamtumirëse për Prof.Dr. Galip Veliun: Amanetin tënd do ta ruajmë… 4 August 2020