Nga Vendi
3 September 2021
Të dielën fillon regjistrimi i popullsisë në Maqedoni

Autoritetet thonë se gjithçka është gati për të nisur të mbahet regjistrimi i popullsisë dhe se nuk presin probleme.

Ata thonë se ka vendim edhe për ata qytetarë të cilët nuk dëshirojnë të pranojnë regjistrues të pavaksinuar dhe se atyre do t’u çohen regjistrues të vaksinuar.

Kryeministri Zaev tha se nuk pret probleme me regjistrimin e popullsisë, ndërsa në pyetje të gazetarëve se si do ta zgjidhin problemin për ata qytetarë të cilët nuk do të pranojnë regjistrues të pavaksinuar, ai tha se do të ketë rotacione të regjistruesve.

“Do të mundohemi secilën herë me fleksibilitet maksimal. Bisedova me ministrin e Drejtësisë dhe me drejtorin e Entit Shtetëror për Statistika që kur të ndodhin situata të këtilla të mund të bëhet rotacion i regjistruesve në mënyrë që me fleksibilitet të dalim ndaj kërkesave dhe pritjeve të qytetarëve”, tha Zaev.

Ai theksoi se është përqindje e vogël e këtyre rotacioneve për shkak se shumica e regjistruesve janë të vaksinuar dhe se mbi 50% e qytetarëve mbi 50 vjet janë të vaksinuar.

“Edhe regjistruesit janë të vaksinuar. Mendoj se duke marrë parasysh se regjistrimi mbahet 20 ditë, këtë herë është 25 ditë në mënyrë që të kemi mundësi për të vepruar në mënyrë fleksibile me qëllim që t’i mbledhim të dhënat për qytetarët tanë”, tha Zaev.

Ministri Mariçiq tha se regjistruesit janë të përgatitur dhe se kanë pajisje të mira për realizimin e regjistrimit të popullsisë.

“Pres të dielën të fillojë regjistrimi i cili do të zgjasë deri më 30 shtator dhe që duhet t’i mbledhë të gjitha informacionet. Pengesa juridike nuk ka për të nisur regjistrimi dhe nuk ka as pengesa teknike dhe logjistike”, tha Mariçiq.

Ai theksoi se të gjitha masat shëndetësore në regjistrimin e popullsisë janë miratuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Komisionin për Sëmundje Ngjitëse.

Ndryshe, regjistrimi fillon të dielën më 5 shtator dhe do të zgjasë deri më 30 shtator. Regjistrimi vlen edhe tani online për mërgimtarët që nisi nga 1 marsi. Deri dje në diasporë janë regjistruar 190.890 qytetarë./Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Pesë të hospitalizuar ,asnjë i vdekur nga Covid 19 në Tetovë 7 October 2021
Sela akuzon Merkon dhe të afërmit e tij: Në tokë shtetërore ndërtojnë vila buzë liqenit 8 July 2021
Shkup: 293 gjoba për shkelje të rregullave në komunikacion 5 July 2021