Nga Rajoni
15 September 2021
Presidentja Osmani e quan të rrezikshëm “Ballkanin e Hapur”: Kosova nuk trajtohet si shtet i barabartë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e “Ballkanit të Hapur”. Në një bashkëbisedim në Rrjetin për Politikë të Jashtme në Gjermani, Osmani ka thënë se Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme dhe e duhur për avancimin e rajonit.

Në fjalimin e saj, Osmani ka kritikuar Serbinë duke e quajtur shtetin e vetëm që destabilizon rajonin e që s’u përmbahet atyre që i nënshkruan.

“Kemi vlerësuar vazhdimisht Procesin e Berlinit. Mendojmë se ky proces ka afruar shtetet e rajonit, ka rezultuar me marrëveshje. Problemi është që disa shtete s’i kanë implementuar. Bëhet fjalë për Serbinë. Më 2018, për shembull marrëveshja për njerëzit e zhdukur. Serbia s’mori asnjë veprim për të shfaqur lokacionet e varrezave masive, ku nuk hapi arkivat për njerëzit e zhdukur… Serbia mbetet jo vetëm shteti që destabilizon rajonin, por edhe shteti që nuk i përmbahet atyre që i nënshkruan. Një diplomat dikur pati thënë se me Serbinë ke dy lloj negociatash, që ta bindësh të nënshkruajë dhe më pas ta implementojë. E dyta është më e rëndë se e para. Besojmë që Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme”, ka thënë ajo për iniciativën që është përkrahur vetëm nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut e që po refuzohet nga Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi. “Ballkani i Hapur jo vetëm i rrezikshëm, por edhe bën shtyrjen e procesit të integrimit evropian”.

Ajo ka kritikuar këtë iniciativë duke thënë se me të Kosova nuk konsiderohet shtet i barabartë me të tjerët.

Sa i përket dialogut, Osmani është shprehur se Kosova s’do të diskutojë kurrë për territore, për ndryshime kushtetuese që të mundësojë Republikë Serbe apo për statutin e vet.

“Vetëm një zgjidhje mund të sjellë paqe e stabilitet në rajon – Serbia ta njohë realitetin dhe ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Deri sa të mos ndodhë ajo Serbia do të jetë destabilizuesja e rajonit dhe trampolina që sjell influencën ruse e kineze në rajon. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i zëshëm ndaj Vuçiqit”, ka thënë ajo duke shtuar se Serbia po luan “me dy karta” sikur dëshiron integrimin evropian e më pas vazhdon bashkëpunimet me Rusinë e Kinën.

“Kosova është konstruktivja në proces. Ka përpjekje që të portretizohet Kosova si destruktive, por kjo s’është aspak e vërtetë. Kosova ka pranuar të jetë pjesë e dialogut e të kontribuojë edhe pse Serbia s’ka pranuar kurrë të kërkojë falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë. Ne kemi bërë propozime të mrekullueshme në çdo rund bisedimesh. Serbia s’ka bërë asnjë porpozim dhe ka refuzuar gjithçka”, ka shtuar Osmani.



Të ndryshme
Më shumë
Garë e ashpër në Tearcë31 October 2021
Pas lirimit nga paraburgimi, Fjolla Morina ndahet nga Fisnik Syla?27 September 2021
Policia është në kërkim të Vlladimir Pançevskit11 July 2020