Nga Bota
29 September 2021
Pfizer: Vaksina është e sigurt edhe te fëmijët e vegjël

Kompania farmaceutike amerikane, Pfizer, dhe partneri i saj gjerman, BioNTech, i dorëzuan disa të dhëna fillestare në Administratën amerikane të Ushqimit dhe Barnave – FDA, për përdorimin e vaksinës së tyre kundër coronavirusit edhe te fëmijët.

Prodhuesit e barnave thanë se provat e tyre kanë treguar se vaksina është e sigurt dhe efektive për fëmijët 5 deri në 11 vjeç.

Në Shtetet e Bashkuara, vaksina Pfizer/BioNTech, e cila jepet në dy doza, është aktualisht e disponueshme për personat 12 vjeç e lart.

Pfizer dhe BioNTech thanë se do të paraqesin një kërkesë në FDA, për të kërkuar autorizim urgjent të vaksinës te fëmijët 5 deri në 11 vjeç në javët e ardhshme.

Pasi të bëhet kërkesa, janë rregullatorët dhe zyrtarët e shëndetit publik ata që vendosin nëse do ta rekomandojnë ose jo përdorimin e vaksinës për këtë grup-moshë.

Sipas agjencisë së lajmeve AP, ky proces mund të mos përmbyllet deri në fund të nëntorit. Por, varësisht se sa shpejt vepron FDA-ja, vaksinat mund të bëhen të disponueshme edhe në fillim të nëntorit, shkruan AP.

Pfizer dhe BioNTech planifikojnë t’i paraqesin të dhënat e tyre edhe tek Agjencia Evropiane e Barnave – EMA dhe rregullatorët e tjerë.

Edhe prodhuesi tjetër amerikan i vaksinave, Moderna, është duke i testuar vaksinat e tij te fëmijët e moshës së shkollës fillore. Rezultatet e tij priten më vonë gjatë vitit.

Sigurimi i vaksinave për fëmijë konsiderohet kyç për frenimin e pandemisë së coronavirusit dhe për kthimin e botës në një shkallë të normalitetit.

Edhe pse të dhënat sugjerojnë se simptomat e coronavirusit janë më pak të forta te fëmijët, virusi ka mbyllur shkolla në të gjithë globin dhe ka shkaktuar presion mbi disa prindër që të qëndrojnë në shtëpi ose të lënë punën, për shkak të mësimeve në distancë.

Në të tjera zhvillime, Brazili u bë vendi i fundit që tha se do të sigurojë vaksina përforcuese kundër coronavirusit për të gjithë banorët e tij mbi 60 vjeç.

Kosta Rika tha se të gjithë punonjësit e saj shtetërorë do të duhet të vaksinohen kundër coronavirusit, duke u bërë kështu një nga vendet e para në Amerikën Latine që imponon vaksinimin e detyrueshëm. Kompanitë private gjithashtu do të mund t’i urdhërojnë punonjësit e tyre të vaksinohen, tha Ministria e Shëndetësisë.



Të ndryshme
Më shumë
Konspiracionistët e akuzojnë si krijues i COVID-19, reagon Bill Gates25 July 2020
Kali përfundon në autostradën Tetovë – Shkup, policia identifikon pronarin23 September 2021
Kandidati për Kryeminstër shqiptar Naser Ziberi nisi fushatën në Çarshinë e Shkupit (FOTO)25 June 2020