ShowBiz
29 October 2021
Problemet e shëndetit mendor të banorëve në Big Brother VIP, psikologët tregojnë se si mund të ndikojnë ato tek shikuesit

Ankthi dhe depresioni po vazhdojnë të jenë gjithmonë e më të pranishëm tek njerëzit, të dyja këto çrregullime të shëndetit mendor, e që sipas psikologëve mund të menaxhohen, trajtohen përmes terapive psikologjike dhe në kombinim me atë medikamentoze.

Problemet me shëndetin mendor kanë qenë tematikë edhe në formatin e Big Brother VIP Albania, ku si pasojë pati edhe debate të ashpra mes konkurrentëve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri.

Theks i veçantë për këto probleme u vunë tek dy banoret, Fifi dhe Semi Jaupaj, e madje kjo e fundit zbuloi se për vite me radhë ka qenë në terapi, dhe tani me futjen në shtëpinë e Big Brother, i është kthyer sërish, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ishte fillimisht këngëtarja Fifi ajo e cila pati probleme aty brenda, ku doktorët ndërhyn për të stabilizuar gjendjen e saj, ku më pas vlerësuan se ajo mund të vazhdojë lojën, derisa në anën tjetër Semi pësoi sulm paniku gjatë spekaklit, ku Arbanës iu desh edhe të ndërprente lidhjen direkte me banorët në shtëpi.

Psikologja Antigona Qenaj Sejdiu thotë se shfaqja e këtyre dy problemeve në publik ka dy aspekte të ndikimit, si atë pozitiv, por edhe negativ.

Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, Qenaj Sejdiu thotë se si ankthi, poashtu dhe depresioni i shfaqur në sytë e publikut, i shqetësojnë ata që vuajnë po nga të tilla probleme, duke ua rikthyer atyre në kujtesë ngjarjet që ata mund të kenë përjetuar më parë.

“Shfaqja e ankthit dhe depresionit në publik ka dy aspekte të ndikimit. Ndikimin pozitiv ku kjo kontribon që njerëzit të njihen më shumë me problemet e shëndetit mendor dhe të zbus stigmën, si dhe aspektin negativ ku shfaqja direkte e këtyre skenave në publik do t’i shqetësojë personat që përjetojnë probleme të ngjajshme. Kjo mund t’i rikthejë në kujtesë ngjarje të cilat këta persona mund te kene përjetuar në jetë si dhe të ngacmojë shfaqjen e ankthit dhe sulmeve të panikut”, tha fillimisht ajo.

Psikologe Antigona Qenaj Sejdiu

Sipas psikologes, shqetësime të tilla krijojnë mendime negative e përjetime traumatike për një masë të publikut.

“Mund të jenë skena të frikshme për një masë të publikut dhe të krijojë mendime negative, pasiguri dhe përjetime traumatike”, tha psikologja Antigona Qenaj Sejdiu për Reporteri.net.

Në anën tjetër, psikologja Lule Alidema thotë se ata që vendosin të futen në një format si Big Brother duhet të marrin parasysh shëndetin e tyre mendor dhe fizik.

“Secili që vendos të hyjë në një format lojë siç është Big Brother duhet të ketë parasysh që të dijë ta ruaj shëndetin e vetë mendor dhe atë fizik. Duhet të përgatiten për qëndrueshmëri emocionale, mbase aty komplet bëhet jetë tjetër nga jashtë, pastaj vëzhgimi nga kamerat 24/7 dhe vetë mbyllja, d.m.th shkëputja nga jeta jashtë e kalimi në një jetë të mbyllur mund të ketë destabilizim emocional, sidomos kur nuk gëzon stabilitetin e mjaftueshëm emocional”, thotë psikologe Alidema.

Psikologe Lule Alidema

Alidema për Gazetën Online Reporteri.net thotë se shfaqja e këtyre problemeve të shëndetit mendor, si sulme paniku dhe depresioni, përmes formateve televizive, mund të ndikojnë tek të rinjtë, te ata në fazën e pubertetit.

“Sjellja e banorëve brenda Big Brodher nuk besoj se mund të ndikoj te ndjekësit e rritur sepse secili e kupton se aty po bëhet një lojë. Rrisku i rrezikut për t’u marrë model sjellja e tyre është tek të rinjt, ata në fazën e pubertetit”, përfundoi psikologe Lule Alidema për Reporteri.net.



Të ndryshme
Më shumë
Ndërruan jetë babë e bijë nga Shkupi, Selam Asani dhe Magribe Asani Berisha30 August 2021
Maqedonia e Veriut synon të bëhet pjesë e furnizimit global për vaksinë kundër Covid-1913 July 2020
Rifillon me punë Biblioteka e Tetovës 9 July 2020