Me afrimin e provave zyrtare për Eurovision 2025, që këtë vit zhvillohet në qytetin Bazel të Zvicrës, atmosfera mes garuesve nga 37 vende po bëhet gjithnjë e më intensive. Tashmë, ndërsa secili vend përgatitet për të dhënë performancën më të mirë në skenë, një nga treguesit më domethënës të pritshmërive të publikut ka ardhur nga portali i njohur i fansave të Eurovision-it, Wiwibloggs.
Në një sondazh të organizuar nga Wiwibloggs, ku morën pjesë 18,951 persona nga e gjithë bota, publiku zgjodhi të preferuarin për të fituar Eurovisionin e këtij viti. Sipas rezultateve të publikuara, Shqipëria, e përfaqësuar nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”, është aktualisht favoritja kryesore për fitore.
Kënga “Zjerm” grumbulloi 2,106 vota, që përbëjnë 11.11% të totalit të përgjithshëm, duke kaluar në krye të klasifikimit, përkundër faktit që më herët ishte pozicionuar e dyta në një sondazh paralel për gjysmëfinalet. Rritja e mbështetjes tregon një mobilizim të madh të fansave shqiptarë dhe të komunitetit ndërkombëtar që e ka përqafuar energjinë unike të këtij grupi.
Në vend të dytë renditet Finlanda, përfaqësuar nga Erika Vikman me këngën “ICH KOMME”, një deklaratë artistike për lirinë seksuale, që mori 1,969 vota (10.39%). E njohur për karizmën dhe paraqitjet e saj të guximshme, Erika është një emër i dashur në mesin e fansave të festivalit.
Pozita e tretë i takon Suedisë, këtë vit përfaqësuar nga trioja KAJ, një grup finlandez me këngën “Bara Bada Bastu” – një ode argëtuese për dashurinë ndaj saunës dhe kulturës nordike, me 1,620 vota (8.55%).
Ndërsa renditja vazhdon me Austrinë, Spanjën, Holandën, Izraelin dhe Francën, Shqipëria gëzon aktualisht një moment historik, duke e parë veten për herë të parë në krye të një sondazhi të këtij lloji përpara nisjes së provave.
Rezultatet e plota të sondazhit për fituesin e Eurovision 2025, sipas sondazhit të Wiwibloggs:
Shqipëria – 11.11% (2,106 vota)
Finlanda – 10.39% (1,969 vota)
Suedia – 8.55% (1,620 vota)
Austria – 6.38% (1,210 vota)
Spanja – 4.64% (879 vota)
Holanda – 3.65% (692 vota)
Izraeli – 3.61% (685 vota)
Franca – 3.32% (630 vota)
Greqia – 3.28% (622 vota)
Polonia – 3.10% (588 vota)
Malta – 3.10% (587 vota)
Gjermania – 3.06% (580 vota)
Mbretëria e Bashkuar – 2.78% (526 vota)
Australia – 2.58% (488 vota)
Estonia – 2.46% (467 vota)
Lituania – 2.11% (400 vota)
Norvegjia – 2.11% (399 vota)
Danimarka – 2.03% (384 vota)
Irlanda – 2.02% (383 vota)
Çekia – 1.95% (369 vota)
Islanda – 1.75% (332 vota)
Zvicra – 1.50% (285 vota)
Ukraina – 1.35% (256 vota)
Belgjika – 1.35% (256 vota)
Luksemburgu – 1.32% (251 vota)
Letonia – 1.31% (248 vota)
Italia – 1.30% (247 vota)
San Marino – 1.21% (229 vota)
Qipro – 1.03% (196 vota)
Kroacia – 0.94% (178 vota)
Portugalia – 0.78% (148 vota)
Mali i Zi – 0.77% (146 vota)
Sllovenia – 0.77% (145 vota)
Armenia – 0.75% (142 vota)
Azerbajxhani – 0.73% (138 vota)
Serbia – 0.62% (117 vota)
Gjeorgjia – 0.28% (53 vota)
Provate e para në skenën e Eurovisionit nisin në ditët në vijim, dhe sytë e fansave do të jenë të drejtuar nga ajo çfarë “Shkodra Elektronike” do të sjellë live në skenë. Tashmë, pritshmëritë janë të larta.