Nga Vendi
13 May 2025
BDI e shqetësuar për zhvillimet në MPB: Po përjashtohen shqiptarët nga pozitat udhëheqëse në polici

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), duke akuzuar institucionin për përjashtim sistematik të shqiptarëve nga pozitat udhëheqëse në strukturat policore.

Në një kumtesë për media, BDI shprehet thellësisht e shqetësuar për, siç thuhet, degradimin e vazhdueshëm të përfaqësimit të shqiptarëve në sektorin e sigurisë. Partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti e ka cilësuar si “skandal institucional” shkarkimin e të gjithë zëvendësshefave shqiptarë në Stacionin Policor të Butelit, duke e lidhur këtë veprim me emërimin e të afërmve të kryetarit të komunës në këto pozita.

“Ky veprim jo vetëm që përbën një hap të rrezikshëm drejt rikthimit të diskriminimit etnik, por gjithashtu minon rendin dhe balancën e ndërtuar me Marrëveshjen e Ohrit,” thuhet në deklaratën e BDI-së.

Sipas kësaj partie, Buteli, si një nga komunat më të mëdha multietnike në Shkup ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, është shembull domethënës i rëndësisë së përfaqësimit të drejtë në sektorin e sigurisë.

BDI paralajmëron se procesi aktual është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe rrezikon të ringjallë ndjenjën e përjashtimit dhe mosbesimit te shqiptarët në vend.

“Po ndodh çmontimi i mekanizmave të balancës që ishin themel për stabilitetin ndëretnik pas vitit 2001,” theksohet në reagimin e partisë.

BDI u bën thirrje institucioneve shtetërore, përfshirë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe MPB-në, si dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe garantuesve të Marrëveshjes së Ohrit, që të reagojnë pa vonesë dhe në mënyrë të qartë.

“Sektori i sigurisë nuk guxon të shndërrohet në instrument të dominimit etnik apo të revanshizmit politik,” përfundon reagimi i BDI-së./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Osmani-Kofod: Danimarka është partner serioz, mik i sinqertë dhe mbështetës i fortë i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut 1 September 2021
Ministria e Shëndetësisë: Maqedonia ka përparim më të madh në vaksinim në rajon28 August 2021
Çifteve të pamartuara, Zvicra po ua kërkon si dëshmi fotot në Facebook e Instagram 7 June 2021