VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili një ditë më parë njoftoi largimin nga koalicioni qeverisës duke përmendur çështje të pazgjidhura etnike si arsye të këtij vendimi. Sipas VMRO-së, pretendimet e Taravarit nuk përputhen me realitetin e diskutimeve në Qeveri.
Në një deklaratë për media, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, tha se Taravari nuk ka ngritur asnjëherë çështje të tilla në mbledhjet qeveritare. “Taravari asnjëherë nuk ka biseduar për ligjin e gjuhëve, asnjëherë nuk ka biseduar për zgjidhje ligjore të balancuesit, nuk ka biseduar asnjëherë për eurointegrimet, që janë bllokuar për shkak të kontestit të trashëguar me Bullgarinë – kontest i krijuar nga ata në krahët e të cilëve ai shkon tani,” theksoi Manasievski.
Sipas tij, interesimi i vërtetë i Taravarit ka qenë krejt tjetër. “Ai është interesuar për koncesionerin për parkingje në Qendrën Klinike, për ‘Gjokën’ – se pse është përjashtuar nga loja, është interesuar për Artan Grubin, Zoran Zaevin dhe bizneset e tyre, si dhe për çështje të tjera që janë të rëndësishme për BDI-në,” shtoi ai.
Kjo deklaratë e VMRO-së vjen në një moment tensioni politik, ku largimi i Taravarit nga qeveria shihet si një lëvizje që mund të ndikojë në konfigurimin e forcave politike para zgjedhjeve apo gjatë negociatave për qeverinë e re. Partia e Mickoskit ka lënë të kuptohet se retorika e Taravarit për çështje etnike nuk ka qenë prezente në praktikën politike të tij brenda qeverisë, duke vënë në dyshim sinqeritetin e vendimit të tij për t’u distancuar./Almakpress