Nga Rajoni
13 May 2025
Televizioni publik gjerman: Zgjedhjet nuk ishin të ndershme! Rama kërkon të mbajë pushtetin me mjete të padrejta, rrezikohet integrimi

Televizioni publik gjerman, ARD, raporton sot se zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin të lira dhe të ndershme. Sipas ARD, Rama kërkon të mbajë pushtetin me mjete të padrejta. Më poshtë raportimi i medias së njohur.

Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, po i paraprin një mandat i katërt. Partia e tij Socialiste arriti shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare. Që zgjedhjet nuk ishin të ndershme, këtë nuk e dyshon vetëm opozita.

Sipas një raportimi të ARD, Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama ka siguruar shumicën absolute në Parlament, me më shumë se 80 vende nga gjithsej 140, duke i hapur rrugën një mandati të katërt. Por pavarësisht këtij rezultati, zgjedhjet nuk janë konsideruar të lira dhe të ndershme jo vetëm nga opozita, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për blerje votash dhe manipulim të procesit elektoral. Ai i referohet një vendimi të qeverisë dy ditë para zgjedhjeve për faljen e gjobave për 170,000 qytetarë – një masë që, sipas tij, përbënte një "dhuratë elektorale" me vlerë rreth 150 milionë euro.

OSBE: Kushtet nuk ishin të barabarta

Kritika të ashpra kanë ardhur edhe nga OSBE, e cila vlerëson se fushata elektorale nuk u zhvillua në kushte të barabarta për të gjitha partitë. Farah Karimi, përfaqësuese e misionit të vëzhguesve të OSBE-së, deklaroi se partia në pushtet përfitoi në mënyrë të padrejtë nga burimet shtetërore, duke krijuar një avantazh jo të drejtë ndaj kundërshtarëve politikë.

Sipas saj, ka pasur indikacione për presion mbi votuesit, veçanërisht mbi punonjësit e administratës publike, të cilët janë detyruar të votojnë për partinë në pushtet. Karimi theksoi gjithashtu mungesën e informimit të pavarur për qytetarët, për shkak të dominimit të dy partive të mëdha në mbulimin mediatik, vetëcensurës së gazetarëve dhe konsolidimit të sektorit të medias.

Gahler: Shqipëria nuk është gati për BE

Reagime të forta ka pasur edhe në nivel europian. Eurodeputeti gjerman Michael Gahler, përfaqësues i CDU-së në Parlamentin Europian, shprehu shqetësimin se zhvillimet e fundit përbëjnë një rrezik për rrugën europiane të Shqipërisë.

“Ky vend nuk do t’i bashkohet Bashkimit Europian në gjendjen ku ndodhet aktualisht. Por mund të ndryshojnë shumë gjëra për mirë. Prandaj i këshilloj të gjithë aktorët të marrin seriozisht këto rekomandime,” – u shpreh Gahler.

Ai theksoi se Shqipëria ka neglizhuar prej vitesh zbatimin e rekomandimeve për reforma zgjedhore dhe demokratike, çka dëmton besueshmërinë e saj si vend kandidat për integrim në BE.

Në sfondin e këtyre kritikave, mbetet për t’u parë nëse qeveria shqiptare do të reflektojë mbi këto vërejtje dhe nëse do të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar standarde më të larta demokratike në të ardhmen./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Kaq në formë nuk e keni parë asnjëherë, Fifi mahnit me linjat trupore në pozat e reja 5 September 2020
Vajza që ‘çmendi’ djemtë e “Për’puthen”, dikur ishte konkurrente në një program tjetër14 September 2021
Vetëvendosje merr përsipër gazin lotsjellës në Korçë? Abazi: S’do kishte kuptim hareja e gazi, veç atij lotsjellës23 August 2021