Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së ka autorizuar liderin e partisë dhe kryeministrin e ardhshëm, Hristijan Mickoski, që të propozojë kuadro të rinj për pozitat që më parë i takonin Aleancës për Shqiptarët, pas vendimit të Arben Taravarit për t’u larguar nga koalicioni qeveritar.
Në një reagim zyrtar, VMRO-DPMNE deklaron se largimi i Taravarit nuk është i motivuar nga parime politike apo etnike, por siç pretendojnë ata, është rezultat i shantazhit personal dhe interesave biznesore.
“Arben Taravari duhet të jetë i ndershëm dhe të pranojë se informacioni që po përhap tani për largimin nga qeveria, si për shembull se çështjet shqiptare nuk u trajtuan mirë ose se pati një ngecje në integrimin në BE, është vetëm një alibi e zbehtë për veprimet e tij të shantazhuara. Çmimi i këtij shantazhi duhet të kërkohet në biznes ose në ndonjë tjetër lloj motivi”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët i ka cilësuar akuzat si shpifje dhe manipulime politike të një partie që, sipas tyre, ndodhet në krizë të thellë.
“Është e pritshme që në këto ditë të rënda të kësaj Qeverie në hall, në mungesë të plotë të argumenteve politike, të ketë shpifje të llojit më absurd. Ne jemi të përqendruar në punën tonë drejt fitores në Tetor dhe nuk duam të rëndojmë me fyerje apo pseudo-akuzë VMRO-në e cila ka mjaftueshëm halle aktualisht”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Aleanca e ka arsyetuar largimin e saj nga qeveria përmes argumenteve që lidhen me çështjet etnike, siç janë: përdorimi i Balancerit, ligji për përfaqësim të drejtë dhe mungesa e punësimeve të barabarta në institucione për shqiptarët.
Megjithatë, sipas burimeve brenda partive dhe zhvillimeve të fundit, thelbi i përplasjes lidhet me komunikimin e Arben Taravarit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Fillimisht Taravari foli për “kanale komunikimi”, më pas për një bisedë telefonike, ndërsa në fund u zbulua se janë zhvilluar të paktën tri takime të fshehta mes tyre.
Situata politike në vend mbetet e tensionuar, ndërsa pritet që zhvillimet e ardhshme të japin një pasqyrë më të qartë për përbërjen e re të qeverisë dhe orientimin e partive në prag të zgjedhjeve të Tetorit./Almakpress