Kryetari i Komunës së Tetovës dhe njëkohësisht lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka deklaruar sot se pas largimit të Arben Taravarit nga Qeveria, për momentin nuk ka asnjë bisedë mes partnerëve të koalicionit për ndonjë rokadë të ministrive. Ai theksoi se Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të mbetet në kuadër të bllokut opozitar shqiptar – VLEN.
“Nuk ka bisedime për këmbim të ministrive. Unë kam dhënë një deklaratë se një ndër arsyet pse e kemi marrë Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë sepse drejtpërdrejt Arben Taravari ka kërkuar që të jetë ministër i Shëndetësisë. Dhe sigurisht, kur bëhen kombinatorikat për përgjegjësitë që duhet të ndahen, bëhen në bazë të kuadrove dhe kapaciteteve që i kemi,” deklaroi Kasami.
Sipas tij, edhe pse nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve të ardhshme, aktualisht nuk ka asnjë iniciativë konkrete në këtë drejtim.
“Unë e thashë si një mundësi, që në qoftë se do të ketë nga VLEN ndonjë kombinatorikë tjetër për ndonjë kuadër tjetër që është më i rëndësishëm, do ta bisedojmë me Qeverinë që të bëhet rokadë. Por për momentin nuk është folur. Mbetet Ministria e Shëndetësisë tek VLEN-i, do të thotë pozicionet që i ka pasur mbeten të gjitha tek VLEN-i,” sqaroi ai.
Kasami shtoi se koalicioni është i gatshëm të shqyrtojë çdo mundësi të re në përputhje me zhvillimet politike, por nënvizoi se aktualisht nuk ka vend për spekulime.
“Sigurisht, në bazë të rrethanave të reja me daljen e Arben Taravarit nga Qeveria, jemi të gatshëm të bisedojmë për kombinatorika të reja, por për momentin nuk ka kështu bisedime,” përfundoi kreu i BESA-s./Almakpress