Nga Vendi
14 May 2025
Mickoski paralajmëron masa të reja: Mund të rikthehet ngrirja e marzhës deri në fund të vitit nëse vazhdon rritja e çmimeve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmëruar rikthimin e masës për ngrirjen e marzhës tregtare për produktet bazë, në rast se deri në fund të muajit vërehet një rritje e konsiderueshme e çmimeve në treg.

Në një deklaratë për media, Mickoski bëri të ditur se qeveria do të ndërmarrë masa të menjëhershme, të cilat do të jenë në fuqi deri në fund të vitit, nëse analizat nga Ministria e Ekonomisë dhe Inspektorati i Tregut tregojnë për abuzime me çmimet.

“Bisedova me ministrin para dy ditësh kur edhe kishim mbledhje, më tregoi numra dhe nuk kam informatë se ajo po ndodhë, por nëse ndodhë ajo deri në fund të muajit, menjëherë do të ndërmerren masa të cilat do të zgjasin deri në fund të vitit,” deklaroi Mickoski.

Ai gjithashtu paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë ndaj abuzimeve të mundshme që bëhen përmes marrëveshjeve fiktive në emër të shërbimeve të marketingut dhe PR, për të anashkaluar kufizimet e vendosura më herët.

“E treguam qartë se truqe të tilla nuk do të tolerojmë. Dëgjojmë truqe që nëpërmjet personave juridik paratë do të merren nën maskën e shërbimeve të marketingut, shërbimeve PR, dhe me këtë, praktikisht do të paguhet marzha që është paguar në të kaluarën në tregje të caktuara. Jemi të shqetësuar nga çka dëgjojmë, dhe nuk është e mirë ajo që dëgjojmë, sepse me atë mënyrë nuk mund të krijojmë marrëdhënie partneriteti,” theksoi Kryeministri./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Kishin humbur në Malin Sharr, gjenden dhe shpëtohen 7 alpinist çek27 July 2021
Arjola Demiri thotë se dëgjon sure të Kuranit kur udhëton me makinë18 October 2021
Dita e katërt e fushatës për zgjedhjet lokale 2025 2 October 2025